Skënderbeu-Mlada Boleslav, për të mos i thënë lamtumirës Europës shqiptare. Djemtë e Dajës mund t’ia dalin, sepse “gogoli” ekzistonte vetëm kur ishim fëmijë, ndërsa sot kur ke eksperiencë, s’ke më frikë
Nga Anton Cicani
Provoje edhe njëherë… Sa jemi zhgënjyer nga ky mesazh sa herë kemi gërvishtur në një lotari të momentit, teksa shpresonim se do të ishte dita e shënuar, ose çasti që prisnim prej kohësh, kur mendonim se do të pasuroheshim duke paguar vetëm 200 lek të vjetra… Ndiqnim një ëndërr, por do të ishim të lumtur edhe nëse çmimi që fitonim do të ishte shumë i vogël në krahasim me pritshmërinë. Ajo pritshmëri që te Skënderbeu ka arritur majat dhe që ka karikuar skuadrën korçare, edhe pse ata nuk kërkojnë mrekullinë, pasi atë e arritën dy vjet më parë, kur shkuan në grupet e Europa League, duke shkruar historinë më të bukur të futbollit shqiptar. Duhet të gërvishtin dhe duhet të fitojnë, pa e provuar sërish, sepse do të duhet një vit (ndoshta) deri atëherë…
Ndeshja në Çeki jep shpresë, sidomos në 30 minutat e fundit, atëherë kur skuadra korçare, që në Europë tashmë është kthyer në një “refren” dhe nuk ka më frikë, kuptoi se ndoshta po luftonte ndaj mullinjve të erës dhe kishte krijuar një respekt artificial që ishte zhdukur në atë moment…
“Çfarë bëni kështu?!”, bërtiti Shehi në momentin e golit të dytë. E drejtë, mund të ishte bërë më shumë, por të kthesh kokën mbrapa është si të nisësh shkollën nga klasa e parë, kur je në vitin e fundit. Skënderbeu ka mundësi të përmbysë atë rezultat, edhe nëse fiton me cinizëm (1-0), por edhe nëse mund ta mendojë ndeshjen në shtesë (2-1 është rezultat që del). Fundja, nuk do të jetë as i pari dhe as i fundit që kalon përpara edhe në shtesë apo penallti.
Gjatë këtyre viteve, skuadra korçare i ka shtuar një qyteti të kulturuar dhe edukuar një tjetër “pasuri”, ciklin e artë të gjashtë titujve radhazi, teksa në Europë kaluan kufijtë, duke shkuar deri në play-off të Champions League. Jo vetëm ABC, karnavale apo edhe serenata, por edhe futboll i shkëlqyer. Një strukturë e organizuar dhe funksionale, shembull dhe model për këdo. E ndërsa dikush mendonte të largonte Plakun, ai qëndroi dhe shënoi një gol fantastik ndaj Kairatit.
Mlada Boleslav, sigurisht, nuk mund të jetë një “gogol”. Për djemtë e Dajës, që këtë herë e ka menduar ndryshe strategjinë, duhet të jetë një tjetër histori, edhe pse nuk luajnë në shtëpinë e tyre. Në Elbasan duhet të ketë aromë “Korçe”… Mos huazoni historinë, karnavalet, zakonet, traditën apo abetaren e kështu me radhë, por vetëm entuziazmin e Korçës… Në Elbasan duhet kthyer Korçë. Tifozët duhet të bëhen lojtari i “12”-të, për t’i dhënë atë shtysë skuadrës së Skënderbeut, e cila do të kalonte më pas në raundin e play-off, aty ku do të gjente “big” të futbollit evropian, por që do t’i shihte në sy, ashtu sikurse duhet të bëjë me Mladën.
Shehi – Duhet të jetë një dhuratë edhe për këtë njeri që në futboll ka dhënë shumë dhe që te Skënderbeu, bashkë me Shkëmbin, hapi ciklin e artë. Shehi do të tërhiqej në rast eliminimi. Atëherë, Skënderbeu dhe shokët e tij të ekipit kanë në dorë ta mbajnë edhe pak, që të mund ta shohim edhe në dy ndeshje të tjera.