Kushtet e motit spostojnë stërvitjen në terren të mbyllur. Stafi teknik i Vllaznisë është në merak për mesfushorin, që rrezikon t’u shtohet mungesave të mëparshme
Gaspër Marku
Kuqeblutë kanë përfunduar përsëri në kalçeto. Rikthimi i reshjeve të shiut, madje shoqëruar edhe me dëborë, i ka detyruar ata të spostohen në një terren të mbyllur, në kalçeto. Në dy seancat e para anti-Skënderbeu, atë të së enjtes në “Loro Boriçi” dhe të djeshme në kalçeto, trajneri Gjoka nuk ka pasur në dispozicion lojtarët e grumbulluar në ekipet kombëtare, Sherrin, Krymin dhe Isufin. Me skuadrën nuk është stërvitur këto dy ditë edhe sulmuesi Xhevahir Sukaj, i cili është i skualifikuar për arsye kartonësh, ashtu si dhe Gocaj dhe Mersini. Sukaj ka marrë leje nga klubi kuqeblu për këto ditë. Por listës së mungesave i shtohet dhe Malota, që vijon të jetë larg skuadrës për arsyet që tashmë dihen publikisht. Ai akuzohet për abuzim me tokat e bregdetit të Shëngjinit. Edhe pse në kushte kalçetoje, trajneri Gjoka është përpjekur ta mbajë skuadrën në tonus, duke punuar në çdo aspekt.
KRYMI SHQETËSON – Mesfushori Ardit Krymi kishte ditë që shqetësonte stafin kuqeblu. Dëmtimi me Partizanin e pengoi atë të aktivizohej në sfidën e fundit me Kukësin. Stafi mjekësor punoi intensivisht për rikuperimin e tij dhe sinjalet ishin pozitive, ndaj dhe u përfshi nga trajneri Bushi në grumbullimin e ekipit Shpresa. Madje, u projektua të luante nga minuta e parë, por në çastet e fundit gjërat u prishën. Angazhimi maksimal në procesin stërvitor për të luajtur dje ndaj Sllovakisë ka ndikuar negativisht në gjendjen fizike të Krymit. Ai nuk ka luajtur dhe ka vënë në alarm stafin teknik të Vllaznisë, pasi vihet në rrezik serioz aktivizimi i tij ndaj Skënderbeut.
BARDULLA-MARKU-KAPAKLIA – Nga ana tjetër, përpos problematikës së mungesave të detyrueshme, në kampin kuqeblu ka edhe lajme pozitive për ata që më herët kanë qenë të përfshirë në dëmtime afatgjatë. Bardulla, Marku dhe Kapaklia janë tre prej futbollistëve, që i përkasin repartit të mesfushës dhe mbrojtjes, të cilët në dy ditët e para të stërvitjes janë bashkuar me grupin. Qëndrimi kaq gjatë jashtë grupit kuqeblu ka dhënë ndikimet e veta, por sipas stafit mjekësor, testimi në seancat e fundit ka dhënë sinjale pozitive. Nga stafi teknik mësohet se duke parë ecurinë e tyre në ditët në vazhdim, nëse treguesit e tyre vijojnë të jenë në rritje, ndonjëri mund të jetë në fushë ndaj Skënderbeut.