Teuta ka mundësinë t’i afrohet kreut të renditjes këtë javë, madje edhe të jetë pretendent kryesor për titullin kampion. Durrsakët kanë gjashtë pikë më pak se Partizani kryeses, që këtë javë do të zbresë në stadiumin “Niko Dovana”.
Trajneri Bledi Shkëmbi për këtë ndeshej nuk do të ketë në dispozicion futbollistin polivalent Fabio Beqja, vendin e të cilit me shumë mundësi do ta zërë Esin Hakaj. Shkodrani është rikuperuar dhe luajti në pjesën e dytë kundër Skënderbeut.
Mbetet për t’u parë se kush do të zëvendësojë Gerhard Prognin, gjithashtu i pezulluar. Një opsion është kalimi i Traore në krah dhe më pas do të hapej një vend për Avdylin në qendër të mesfushës. Tjetër lëvizje mund të ishte kalimi i Osmanit në qendër të mesfushës dhe kështu Bicaj e Shkalla do të ishin përgjegjës për qendrën e prapavijës.