Shkumbini-Devolli përballen mes tyre nesër në Rrogozhinë, në një ndeshje që vlen shumë për vazhdimësinë e kampionatit. Peqinasit do kërkojnë tre pikët, për ta çuar diferencën me rivalët në katër pikë. Para këtij takimi kanë folur për “SportEkspres.com” trajnerët e njohur Artan Bano e Stavri Nica.
Lushnjari që drejton peqinaset mendon se është një ndeshje e vështirë dhe rezultatin do ia lenë fushës së blertë. “Për vetë pozicionin që kemi në krye të grupit, e kemi vlerësuar maksimalisht Devollin. Natyrisht që është një sfidë me specifikë të veçantë, por ne vetëm fitorja na bën punë. Ndaj ky është objektivi ynë. Gjithsesi, rezultatin do t’ia lemë fushës së lojës”, u shpreh tekniku i Shkumbinit, Artan Bano.
Stavri Nica, tekniku i Devollit, e shikon pozitive për ta faktin që ndeshja me Shkumbinin do të luhet në fushë asnjanëse. “Ne e kemi vlerësuar si një ndeshje ku do të vendoset shumë për kreun e Grupit B. Luhet në fushë asnjanëse dhe pa tifozë, ndaj këtë e shohim si mundësi për çdo rezultat për të dyja skuadrat. Synimi ynë janë vetëm për tri pikët”.
AGRON KAJA