Erald Çinari prej kohësh ishte duke pritur të transferohej jashtë dhe kishte pasur oferta nga Kroacia. Mënyra se si është transferuar nuk është “normale”, pasi shkodrani ka nënshkruar me Alavesh në Spanjë dhe huazohet te NK Istra. Sulmuesi anësor, tanimë që është larguar, ka menduar të falënderojë Vllazninë.
“Nga sot e tutje unë nuk do jem më pjesë e Vllaznisë. Bëj me dije se tashmë kam nënshkruar në mënyrë zyrtare një kontratë 3-vjeçare me ekipin e Alaves në La Liga, ndërsa këtë sezon do jem i huazuar te skuadra e Istras në Kroaci. Me anë të këtij mesazhi falenderoj pafund skuadrën time të zemrës, Vllaznia. Ekipi ku unë u rrita dhe u aktivizova që në moshë të vogël. Në 4 vitet e fundit luajta si profesionist me Vllazninë duke realizuar një ëndërr e tashmë nis një etapë e re në karrierën time. Mirënjohje dhe falenderime për të gjithë trajnerët, tifozët, futbollistët dhe drejtuesit që kam bashkëpunuar në këto vite. Faleminderit për gjithçka dhe uroj që ekipi të rikthehet shpejt aty ku e kërkon historia”, shkruan Çinari në rrjetet sociale.