Një ditë më parë Sokol Cikalleshi dhe Azdren Llullaku siguruan kalimin në finalet e Kupës në Turqi dhe Rumani, ndërkohë që sot janë dy lojtarë të rinj shqiptarë që kanë festuar në Kroaci. Indrit Tuci dhe Arbër Mehmetllari i janë gëzuar fitores me Lokomotivën e Zagrebit U19.
Ata kanë mposhtur 3-1 Bjelovar, skuadër që kishte surprizuar Dinamon e Zagrebit. Me Lokomotivën ishte tjetër melodi dhe ishin këta të fundit që kaluan në finalen e Kupës së Kroacisë për të rinj. Në takimin e sotëm vetëm Tuci e nisi si titullar.
Trekuartisti, i cili në janar la Akademinë e Futbollit për t’u transferuar në Kroaci, ishte protagonist në golin e parë të skuadrës së tij, teksa dha pasimin vendimtar që i kthye në gol. Tuci luajti gjatë gjithë ndeshjes, kurse Mehmetllari u hodh në fushë rreth minutës së 55-të. Në dhomat e zhveshjes, nuk ka munguar as festa me shqiponjë. E bukura është se janë dy lojtarë kroatë që e kanë bërë atë.
Paraqitjet e dy lojtarëve të Shqipërisë U20 kanë qenë mjaft të mira këtë sezon dhe sigurisht dëshira është kalimi në ekipin e parë të Lokomotivës, aty ku momentalisht luajnë Myrto Uzuni dhe Lirim Kastrati. Klubi kroat ka në përbërje edhe Jon Mersinajn dhe Enis Çokajn, futbollistë këta të huazuar te Laçi.