Skënderbeu duket se është në një moment shumë të vështirë. Kampionët në fuqi nuk po sillen si të tillë, për faktin se pësuan humbjen e gjashtë radhazi, ose më saktë nuk fitojnë prej shtatë takimesh në kampionat.
Korçarët kanë marrë vetëm 1 fitore në 9 ndeshje, ose e thënë ndryshe vetëm një fitore në ndeshjet e një faze. I vetmi sukses ka qenë me Flamurtarin, ndërsa në takimet e tjera, maksimumi ka qenë barazimi.
Humbja e sotme mund të ketë nota justifikimi nga ngjarja e pahijshme që ndodhi para takimit, kur disa individë, ende të paidentifikuar kanë sulmuar disa prej lojtarëve të “ujqërve të dëborës”. Gjithsesi, kjo nuk e justifikon këtë gjendje shumë të rënduar, pasi ekipi ndodhet shumë larg vendit të parë dhe diferenca mund të thellohet.
Duhet të përmendet se në dekadën e fundit asnjëherë Skënderbeu nuk ka kaluar një periudhë kaq të errët, sa i përket rezultateve. Edhe pse në Korçë nuk e pranojnë, duket se e gjithë vëmendja është te vendimi i KAS-it.