Milosh Kostiç është shumë larg pritshmërive, teksa nuk ka mundur ende që të marrë një fitore në ndeshjet zyrtare me Luftëtarin e tij. Përveç katër humbjeve në ndeshjet e para të këtij edicioni në Superiore, slloveni nuk bëri mirë as në ndeshjet e Europa League. E ardhmja e tij në krye të skuadrës gjirokastrite është në pikëpyetje.
Nëse me trajnerët shqiptar nuk është e vështirë që të ndahesh, teksa mund t’i largosh pa asnjë farë problemi dhe e di se nuk do të nxjerrin telashe, nuk funksionon kështu me teknikët e huaj, që pasi firmosin një kontratë duan që ta respektojnë deri në fund. Edhe pse bluzinjtë nuk po shohin të ardhme me teknikun Kostiç, ai ka firmosur një kontratë për 3 vite dhe drejtuesit duan që ta zgjidhin me mirëkuptim ndërprerjen e bashkëpunimit, pasi nëse do e shkarkonin atëherë do u duhej që ta dëmshpërblenin trajnerin.
Drejtuesit dhe tekniku do të kenë një takim ku do të shqyrtojnë mundësinë e ndërprerjes së kontratës. Edhe vetë trajneri pas ndeshjes me Tiranën e pranoi se do ishte më mirë që të ulej e të fliste me drejtuesit, pasi situata nuk është aspak e mirë.