E quajnë vëllazërore, por në fakt, në fushë, Kosova harroi cilin kishte përballë dhe na dha një leksion që do ta mbajmë mend gjatë. Praktikisht, tre gola dhe shumë raste për ta çuar rezultatin edhe më të thellë, duke na poshtëruar në çdo drejtim.
Duhet të ishim shembulli i tyre, skuadra për t’u ndjekur dhe rrugëtimi i duhur drejt suksesit, por sonte pamë një Shqipëri që praktikisht është nisur me pushime dhe që vetëm fizikisht ka zbritur në fushë, duke mos respektuar ato tifozë që kanë lënë ndoshta familjet dhe kanë shkuar në stadium, që kanë paguar një biletë relativisht të shtrenjtë dhe kanë marrë me vete ndoshta edhe fëmijët.
Për t’i treguar çfarë? Se si pësojmë tre gola, se si nuk bëjmë dot një aksion, se si ecim në fushë apo se si tallen me atë fanellë që kanë veshur? Sigurisht, justifikimi është i madh, duke thënë “jemi të lodhur”, por lojtarët e Kosovës gjithashtu a nuk kanë luajtur me klubet e tyre, apo gjatë gjithë sezonit kanë qenë duke ngrënë kokoshka dhe parë filma në kinema?! Dhe, të mos shënosh një gol në një miqësore si kjo, atëherë nuk ke asnjë justifikim, asnjë alibi për të përdorur.
E ndërsa për lojtarët nuk ia vlen të shkruash më shumë, për trajnerin Panuçi duhet të shkruash dhe shumë. Një lëmsh total, ku nuk dihet fillimi dhe fundi, por sidomos një sulm pa sulm… Praktikisht, forcë zero, teksa Kosova na ka falur disa herë, sepse mund të na kishte bombarduar. Pikërisht skuadra e Shaland ka treguar freski, energji, dëshirë dhe sidomos përkushtim. Në fund, fitorja është mëse e merituar, në një miqësore, të cilën disa e quajnë vëllazërore. Por, më mirë që shuplakën na e dha vëllai, një pjesë e familjes, se sa “hasmi”, sepse ashtu, vërtet, do të ishte akoma më e rëndë.
Kosovë 3-0 Shqipëri
Shënues: Zeneli 20?, 51?, Zhegrova 67?
Kosova: Ujkani, Aliti, Ismajli, Rrahman, Vojvoda (Krasniqi 68?), Shala (Taipi 90?), Halimi, Rashica (Zhegrova 59?), Zeneli (Përdedaj 87?), Avdijaj, Muriqi (Nuhiu 62?). Trajner: B. Shaland. (Të gatshëm: Hajdini, Maloku, Feka, Xhemali, Broja, Dallku, Berisha).
Shqipëria: Berisha, Lika, Veseli, Gjimshiti, Hysaj, Ndoj (Abazaj 69?), Ramadani, Qaka (Manaj 44?), Guri (Mavraj 67?), Roshi (Lilaj44?), Cikalleshi. Trajner: K. Panuçi. (Të gatshëm: Hoxha, Selmani, Ajeti, Memolla, Lenjani, Gavazaj, Balaj).
Kartonë të verdhë: Ujkani 35?, Krasniqi 76’ / Roshi 32?, Lika 57?
Gjyqtarë: A. Bieri.
GOLAT
20? – Halimi vertikalizon për Zenelin, i cili i vetëm me Berishën nuk gabon
51? – Sërish gabim i lojtarëve kuqezi, Zeneli merr një top dhe në hyrje të zonës godet fort, duke shënuar golin e dytë.
67? – Zhegrova tenton të harkojë, por topi nuk preket nga askush dhe përfundon në rrjetë.