Korabi u zgjua vonë, por duket se klubi dibran i ka bërë mirë llogaritë. Emërimi i trajnerit Julian Ahmataj në drejtim ka qenë një sinjal i fortë, pasi ish-futbollisti i njohur duket se ka marrë garanci për një projekt serioz, pa presion dhe me synimin për të punuar i qetë, me djem të rinj e ambiciozë.
Sot Korabi ka zyrtarizuar edhe dy përforcime: nga Skënderbeu ka marrë anësorin 18-vjeçar Anteo Osmanllari, i aftë të luajë në sulm dhe në mesfushë. Osmanllari është huazuar për një vit te Korabi dhe Skënderbeu shpreson që djaloshi i talentuar të luajë rregullisht e të rritet profesionalisht.
Ndërkaq, pjesë e Korabit është edhe Xhulio Jaupi. Qendërmbrojtësi ng Elbasani, tashmë 24 vjeç, luante prej vitesh te klubi i vendlindjes, ndërsa prej janarit kaloi te Shkumbini.
Ditët e fundit Korabi ka afruar edhe disa lojtarë të tjerë: sulmuesi dibran Ardian Kaloshi, sulmuesi Klaudjo Hyseni, portieri Elidon Selaci dhe mesfushori Majkël Peçi.