Nuk është e sigurt nëse duhet të qeshni apo duhet të qani. Lajmet që vijnë nga Shkodra bëjnë me dije se kryetarja e Bashkisë ka takuar skuadrën dhe u ka premtuar: Po, faza përgatitore, do zhvillohet në Mal të Zi. Turpi është fjalë e rëndë, po në mos është turp, është qesharake. Fjala e duhur për situatën e Vllaznisë, keqardhje.
Në qytetin ku është luajtur për herë të parë futboll në Shqipëri, aty ku vihet bast se tifozëria është më e shumtë se kurrë në rast suksesesh, me kushedi sa trofe mbi shpinë, me një akademi që lind kampionë që fatkeqësisht luajnë diku tjetër, dhe me stadiumin më të madh në vend, ende nuk është gjetur formula që të shndërrohet e gjitha në një biznes.
Vllaznia duhet të mjaftohet me një sakrificë udhëtimi për Mal të Zi, ndërkohë që realitete të tjera shqiptarë me minimumin e së shkuarës të Vllaznisë si Skëndërbeu dhe Kukësi, llogarisin kupa, kampionate, ture të kaluara, miliona euro nga UEFA, nga të drejtat televizive, apo shitjet e lojtarëve.
Thonë që një fazë përgatitore në Mal të Zi kushton jo më shumë se 15 mijë euro.
Situata nuk ka asnjë shpjegim, madje as teori konspiracioni. Nuk është se futbolli është ndonjë thelë e madhe nga ku mund të përfitosh nën dorë. Shumë-shumë, ngjan si neglizhencë. Ndoshta kyetares nuk i ka thënë askush që futbolli nuk është shtet, por është vetëm privat.
Hera e fundit që Vllaznia administrohej nga një privat ka qenë viti 2011 ku president ishte Valter Fushaj. Nën epokën e tij u fituan 2 kupa, një herë nënkampion i Shqipërisë, u kaluan disa ture në Europë, u arkëtuan para nga të drejtat dhe sidomos nga shitjet e lojtarëve. Që nga ajo ditë, Vllaznia ka një buxhet më të lartë se ajo periudhë, nuk fiton asgjë, nuk merr pjesë në kupat e Europës e madje mezi i shpëton rënies nga kategoria. Diferencën bëjeni vetë.