Kohët e fundit është diskutuar shumë në lidhje me ish-atletin rekordmen, Usain Bolt, i cili kërkon që të bëhet një futbollist profesionist. Usain Bolt ishte në një provë tek ekipi australian i Central Coast Mariners, të cilët luajnë në Ligën A të Australisë.
I pyetur nga mediat vendase agjenti i Bolt, ka deklaruar se klientit të tij i është ofruar një kontratë nga ana e Central Coast. Riki Sims tha shkurtimisht për mediat: “Po, Usain Bolt i është ofruar një kontratë. Nuk dua të bëj komente të tjera për momentin”, ka thënë agjenti i xhamajkanit.
Gjithsesi ditën e sotme skuadra ku Bolt kreu provën, luajti në transfertë ndaj Brisbejn Roar, teksa mori një barazim 1-1 në një ndeshje të vështirë. 32-vjeçari nga Xhamajka nuk ishte pjesë e ekipit dhe në fundin e takimit është pyetur pikërisht trajneri i Central Coast, i cili nuk ka dashur të flasë për këtë temë.
“Ju të gjithë besoj e keni parë vijën tonë të parë të sulmit dhe keni menduar me vete, ku mund të luajë Bolt, apo nuk është kështu? Unë e kuptoj se sa e rëndësishme është kjo çështje për një pjesë të madhe të botës. Këto janë vetëm spekulime. Nuk di asgjë për çfarë po flisni”, përfundoi trajneri Majk Mulvei.