Te Kukësi shumë lojtarë janë në fund kontrate, por ende janë në dorë të Kukësit! Situatë absurde: klubi ka të drejtë të rinovojë në mënyrë të njëanshme, në bazë të klauzolave që ka futur në kontrata.
Klauzolat në Shqipëri mund të jenë nga më të ndryshmet, por në Kukës ato që spikasin më shumë janë pikat e kontratës që rinovojnë në mënyrë automatike bashkëpunimin e një lojtari me klubin, nëse drejtuesit e dëshirojnë diçka të tillë.
Gafa e lojtarëve? Kontratat e përpiluara duhet që të shqyrtohen me vëmendje që të kuptohet saktësisht çdo pikë e saj dhe rreziku që lojtarët të kenë anashkaluar ndonjë “kleçkë” është i madh.
Nuk do të ishte çudi që vetëm pas pak ditësh të mësohej që ndonjë prej lojtarëve të Kukësit të ketë ndonjë klauzolë të tipit: “Pjesëmarrja në kupat e Europës rinovon automatikisht kontratën”. Gjithçka mbetet për t’u parë.
Në Kukës çdo ditë e më shumë klauzolat janë bërë “makth”, pasi dhe vetë lojtarët që tashmë konsiderohen të lirë nuk janë të bindur plotësisht nëse i kanë shlyer të gjitha detyrimet ndaj Kukësit. Disa futbollistë thonë: “Jemi pa ekip, e kemi mbaruar kontratën te Kukësi”, por nga klubi të thonë: “Jo, e kemi ne në dorë, ikin apo jo”.