Komisioni i Disiplinës ka shpërndarë vendimet e marra sa i përket javës që lamë pas në futbollin shqiptar. Kryeqendra e vëmendjes dhe polemikave ishte te Partizani-Vllaznia, ku të kuqtë janë shprehur ashpër kundër arbitrimit të Enea Jorgjit. Për këtë arsye është dënuar Reinaldo Kalari, është paralajmëruar Ilir Daja, ndërsa për dështim në përmbushjen e detyrimeve dhe përgjegjësive, Partizani është dënuar me gjobë për shkakun e “Air Albania-s” të tejmbushur.
Për të vazhduar më tej, është hapur hetim disiplinor edhe sa i përket dy lojtarëve të Partizanit, Xhunior dhe Asani. Ende nuk dihet se përse kanë ardhur këto vendime saktësisht, megjithëse mund të lidhet me gjuhën e ashpër dhe epitetet e vendosura nga ana e këtyre lojtarëve mbi Enea Jorgjin. /Sport Ekspres/
Vendimet e Komisionit të Disiplinës
FK Partizani, për dështim në përmbushjen e detyrimeve dhe përgjegjësive, në bazë të neneve 63/1/b, 63/1/e, dhe 64/1 të KDS, dënohet me gjobë në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë.
Zyrtari i FK Partizani, Reinaldo Kalari, për protestë ndaj vendimit të arbitrit, me gjeste dhe fjalë ofenduese, në bazë të nenit 55/2 të KDS, dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga aktiviteti.
Zyrtari i FK Partizani, Ilir Daja, në bazë të nenit 12 të KDS, paralajmërohet se në rast të përsëritjes së sjelljes josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, do të jetë subjekt i masave disiplinore që parashikon Kodi i Disiplinës Sportive dhe Rregulloret e FSHF.
Çeljen e hetimit disiplinor për lojtarin e FK Partizani, Stenio Markos Da Fonseca Salazar Junior.
Çeljen e hetimit disiplinor për lojtarin e FK Partizani, Jasir Asani.
KF Klosi, për aktivizimin e një lojtari që nuk kishte të drejtë të luante në ndeshjen e vlefshme për Kampionatin Kombëtar të Kategorisë së Dytë – Grupi A, kundër F.C Bulqiza, në bazë të nenit 53 të KDS, humbet ndeshjen në tavolinë me rezultatin 0-3 dhe i zbriten 3 pikë nga klasifikimi.
Lojtari i F.C Bulqiza, Mirjan Pepa, për sjellje josportive ndaj kundërshtarit, në bazë të nenit 47/1/d të KDS, dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga aktiviteti.
Lojtari i KF Klosi, Romero Gjoka, për sjellje josportive ndaj kundërshtarit, në bazë të nenit 47/1/d të KDS, dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga aktiviteti.
Shënkolli U-21, për braktisjen e ndeshjes së vlefshme për Kampionatin Kombëtar të Kategorisë Superiore U-21, kundër Akademia e Futbollit U-21, në bazë të nenit 54/1 të KDS, humbet ndeshjen në tavolinë me rezultatin 3-0 dhe i zbriten 3 pikë nga klasifikimi.
Rrëzimin e kërkesës së FK Apolonia, në lidhje me lojtaren Egzona Gashi, si të pabazuar në Kodin e Disiplinës Sportive.
Rrëzimin e kërkesës së FK Apolonia, në lidhje me lojtaren Liridona Gashi, si të pabazuar në Kodin e Disiplinës Sportive.