Koment/ “Vetëm qielli është limiti i tij”. Dy histori brenda një dite, Armand Duka, kjo ishte shumë…

Nga Klaudio Ndreca

“Vetëm qielli është limiti i tij”! Nëse ka një frazë që mund të përshkruajë Dukën në këtë moment, është pikërisht kjo. Praktikisht ka arritur çdo objektiv të tijin që për shumëkënd tjetër nuk mund të mendohej i realizuar as në imagjinatat më të shfrenuara. Por kjo e sotmja ishte e tepërt, realisht shumë e tepërt.

Armand Duka, kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit është zgjedhur numri dy i UEFA-s, zëvendës president pas Ceferin. Nëse më parë lumturoheshim kur në UEFA dëgjohej fjala Shqipëri, në ato pak raste, tani Qeveria më e lartë e futbollit europian flet shqip.

Kjo ishte shumë! Por asgjë nuk vjen rastësisht, Duka e përgatiti veten për të shkuar kaq larg dhe njëkohësisht për ta dërguar Shqipërinë në të tilla nivele. Suksesi i kreut të FSHF nuk është vetëm i tiji personal, tërheq mbrapa edhe imazhin e vendit tonë dhe figurën e futbollit tonë.

Mund të thuhet se diçka nisi të kristalizohej në momentin kur presidenti Duka u zgjodh për herë të dytë anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s. Ai fitoi me një rekord votash, duke u renditur i pari mes të gjitha shteteve të tjera, me 45 vota nga 55 të tilla.

E sikur të mos mjaftohej me kaq, vjen një tjetër histori që shkruhet me gërma të arta. “UEFA i beson Shqipërisë finalet e kampionatit Europian të grupmoshës U-17 për 2025”. Elbasan Arena, Loro Boriçi, Air Albania dhe Arena Egnatia do të mirëpresin vizitorë nga e gjithë bota, për të ndjekur finalet e këtij turneu.

Një tjetër goditje e madhe që rrit figurën e Shqipërisë dhe na kthen fjalë të parë pas asaj të Roma-Feynord, finalja e parë në historinë e Conference League që u zhvillua në Tiranë. Janë kaq shumë suksese të arritura në gjithë këto vite, por në kohët e fundit, presidenti i FSHF është duke ngarë makinën vetëm me “marsh të pestë”.

Pa harruar “Shtëpinë e Futbollit”. Nëse para kohës së Dukës selia e FSHF ishte “për faqe të zezë”, tani zyrat e reja jo vetëm që janë prestigjoze, por afrojnë edhe trajnerë të mëdhenj për Kombëtaren. Kështu, Silvinjo me shumë CV të pasur si lojtar dhe pas disa eksperiencave si trajner, u bind në momentin që pa “Shtëpinë e Futbollit” për të pranuar Shqipërinë, megjithëse e dëgjoi për herë të parë që ekzistonte si shtet vetëm kur ishte ndihmës i Mancinit te Interi dhe stërviste Rei Manajn.

Është historia e njeriut që dha kontribut të jashtëzakonshëm për të ndihmuar Kosovën që të pranohej në organizmat më të lartë të futbollit. Është historia e njeriut që transformoi futbollin shqiptar duke ndërtuar stadiume që janë europiane dhe në disa raste që tejkalonte cilësinë e vetë lojtarëve që janë pjesë e tyre. Është historia e njeriut që ishte i vetmi që mundi në zgjedhje Qeverinë aktuale, e cila njeh vetëm një humbje në gjithë betejat e tjera të fituara, atë në FSHF, kalaja e fundit që nuk ra dot kurrë në dorën e pushtetarëve, duke bërë qëndresë heroike deri në fund, pavarësisht kostove.

Por përtej arritjes individuale dhe suksesit personal të Armand Dukës, sot i gëzohemi faktit se Shqipëria është numri dy në UEFA, se Shqipëria pret finalet e kampionatit europian 2025 për U-17, se Shqipëria është shumë pranë kalimit në Europian dhe faktit se nuk jemi më ai vendi i vogël që ndodhet diku afër Greqisë, përkundrazi, Shqipëria po kthehet në një peshë të rëndë në Europë dhe kjo vetëm falë…futbollit! /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online