Koment/ Të gjithë po largohen nga Shqipëria dhe ne pyesim se pse nuk ka tifozë? 400 euro rrogë dhe 350 euro qera, koha të diskutojmë për skemën dhe stadiumin…

Nga Klaudio Ndreca

Shumë herë diskutimet që bëhen në Shqipëri për çështje të ndryshme, duke mos përjashtuar këtu as futbollin, janë realisht larg realitetit të njerëzve në vend. Shpeshherë ngrihet pyetja në vendin tonë: “Përse stadiumet tona nuk mbushen plot me tifozë për ndeshjet e Superiores?”.

Disa mendojnë se loja nuk është në nivelin e duhur, të tjerë shprehen se klubet nuk bëjnë mjaftueshëm për të afruar tifozët dhe të tjerë ia vendosin fajin skemës së re. Sigurisht që në momentin kur Tirana, Partizani apo klube të tjera bëjnë postime në rrjetet sociale: “Ne kemi nevojë për ty, eja në stadium”, kjo nuk është se do të ndryshojë diçka në mendimin e tifozit për t’u afruar me stadiumin.

Skema e re e Superiore nuk është një arsye e mjaftueshme për të mos shkuar në stadium. Në anën mediatike, interesi i Superiores nuk është në të njëjtin nivel si në sezonin e shkuar, ndikuar edhe nga viti i Kombëtares, por në anën e buxhetit të klubeve, llogaritë do të bëhen kur të jenë mbyllur të gjitha finalet e “Final 4”. Vetëm në momentin e fundit do të kuptohet nëse kjo skemë është më efektive se ajo e mëparshme.

Por për ta nisur analizën, fillimisht duhet të ndalemi te vendi ynë në tërësi, përpara se të shkojmë te futbolli. Në Shqipëri, kryesisht rinia, mosha e cila tërhiqet më shumë për të shkuar në stadium, janë duke ikur në vende të ndryshme të Europës. Pjesa e ngelur në vendin tonë, është duke menduar sesi të largohet dhe t’i bashkohet pjesës tjetër. Çdo njeri në këtë vend, është duke u ndarë nga familjarët dhe miqtë e tij të fëmijërisë, pasi kanë zgjedhur rrugën e emigrimit.

Le të marrim rastin konkret, në një kryeqytet si Tirana ku rroga mesatare është 400 euro dhe një shtëpi me qera kushton 350 euro, është e pamundur që njerëzit, tifozët, të jenë mjaftueshëm të qetë mendërisht sa të zgjedhin që të shkojnë në stadium për të parë ndeshjet e çdo jave të ekipeve që ata ndjekin. Ndryshe nga koha e varfërisë dhe kufizimeve së dikurshme, mundësitë tanimë janë shtuar.

Të jeni të bindur se nëse Tirana, Partizani, Vllaznia dhe ekipe të tjera bëjnë një sondazh në rrjetet sociale se nga cili vend e përkrahin më shumë skuadrën e tyre, më shumë se gjysma do të jenë nga Europa, këto ekipe kanë më shumë tifozë nga jashtë Shqipërisë se brenda Shqipëri. Kjo është drama!

Sepse ky është realiteti i shqiptarëve dhe që askush nuk flet. Kur vijnë kaq shumë talente nga jashtë Europës për Kombëtaren, ne të gjithë gëzohemi, por nga ana tjetër harrojmë se kjo do të thotë se ka kaq shumë shqiptarë që nuk janë më në vendin tonë. Një statistikë e faktuar është se në Itali gjenden 16.000 lojtarë shqiptarë që luajnë në të gjitha kategoritë. Për një vend kaq të vogël sa ky i yni, bashkuar me shumë histori shqiptarësh që djemtë e tyre nuk kanë mundur dot që t’i bëjnë futbollistë ose që nuk kanë zgjedhur që djemtë e tyre t’i bëjnë futbollistë, janë vërtet shumë. Dhe nga këtu nis dhe mbaron gjithçka. Nëse ti shkon në një kafenen e një qyteti të braktisur, ku njerëzit po largohen të gjithë, faji që kafeneja nuk është e mbushur plot me njerëz nuk qëndron te cilësia e keqe e kafesë apo te ambienti, por te fakti se…nuk ka më njerëz.

I tillë është edhe problemi aktual, që diskutohet kaq shumë në media. Në momentin kur shifrat dhe pagesat të jenë të tilla, tifozët e mbetur në Shqipëri do të diskutojnë më shumë me miqtë e tyre sesi të zgjidhin problemet bazike jetësore dhe do të mbushin stadiumin vetëm në ndeshje të veçanta, Tirana-Partizani, Vllaznia-Tirana, Vllaznia-Partizani. Madje edhe në të tilla momente, jo shumë për ta parë ndeshjen nga afër sa për të shfryrë dufin dhe stresin që i ka kapluar nga çdo përjetim që kanë nga ky vend. Nga një vend i varfër ekonomikisht, mos prisni që njerëzit të shkojnë në teatro, stadiume dhe të rendin pas artit, fillimisht është barku që duhet të mbushet. Në një vend ku mbizotërojnë kudo bankat dhe spitalet, mos prisni që stadiumi të jetë zgjedhja e parë. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online