Koment/ Nga “krijesat e Ganiut” te Ilir Daja! Thonë se Shqipëria po kthehet auto shkollë me trajnerët, kush e njeh një…Lionel Scaloni?

Nga Klaudio Ndreca

Shqipëria zgjodhi që ta mbyllte rrugëtimin e saj me Rejën. Gjithçka u bë e qartë që në ndeshjet e fundit miqësore. Italiani zgjodhi që të bëhej bujar dhe të shpërndante disa ftesa, duke e lëshuar dorën edhe me Superioren.

Dukej qartazi se kërkohej të mbahej mend mirë nga të gjithë, edhe nga ata që ndoshta nuk u dha hapësirën e duhur, Skuka ia vërtetoi. Do të ishte një dashuri e sforcuar nëse do të vazhdonte, por u mbyll. Shqipëria kishte nevojë për gjak të ri dhe impulse të reja.

Kur flitet për trajnerin e ri kishte shumë diskutime. Disa shihnin ende hijen e De Biazit për shkak të asaj arritje në Europianin e Francës dhe shpreheshin se me këtë ekip, ndoshta mund ta fitonte Europianin nëse në 2016 arriti në grupe me ata lojtarë që kishte në dispozicion. Por është e pamundur që të krahasosh në dy kohë të ndryshme.

Në atë kohë, ato futbollistë të Kombëtares ishin “krijesat” e De Biazit. Përshembull, Etrit Berisha ndodhej në një vend si i Kalmarit ku më shumë shquhej për peshkim se për futboll. Portieri në fjalë gjuante të gjitha penalltitë te ekipi i tij duke rritur edhe numrin e golave të shënuara. Papritur De Biazi e zbulon dhe nisi të ngjisë shkallët e karrierës së tij duke arritur deri në Seria A. Praktikisht Berisha i detyrohej De Biazit për të gjithë karrierën dhe moralisht ishte gjithmonë i detyruar për të dhënë gjithçka nga vetja.

E njëjta logjikë funksionon edhe për lojtarët e tjerë të asaj kohe, por jo të kësaj Shqipërie, kjo është shumë më ndryshe. Gjithashtu edhe Ilir Daja është një emër që ka qenë jo pak i diskutueshëm. Në fakt ky trajner është një nga më të mirët që ka dalë nga toka shqiptare, për të mos thënë më i miri.

Futbolli i aplikuar prej këtij trajneri ka pasur gjithmonë notën 10, veçanërisht me daljen në Europë si te Skënderbeu apo edhe Ballkani. Por të drejtosh një Kombëtare, më shumë sesa të aplikosh një skemë loje, detyra kryesore është të menaxhosh. Sa mund të menaxhohej situata nga Daja kur vijnë lojtarë si Armando Broja nga Chelsea, Kristjan Asllani nga Interi apo Marash Kumbulla nga Roma?

Duke parë edhe natyrën tonë si shqiptar, ky do të ishte problemi më i madh. Në momentin e parë të pakënaqësisë, lojtarët do t’i tregonin trajnerit se nga vinin, e kanë bërë shpesh edhe me Rejën. Për këtë arsye ishte e udhës që në këtë moment të Shqipërisë, duhej me patjetër një trajner që të sfumonte lojtarët me emrat e klubeve të tyre.

Dyshja Sylvinho-Zabaleta nuk lënë asnjë vend për dyshim në këtë drejtim. Trajneri vjen nga një eksperiencë me Brazilin e Tites dhe Interin e Mancinit si ndihmës, ndërsa si trajner i parë ka qenë te Corinthias dhe Lyon. Për disa njerëz që mund të thonë se Shqipëria është kthyer në autoshkollë duhet të shohin pak edhe Lionel Scalonin.

Nëse mund t’ia kujtojnë ende emrin, pavarësisht se u shpall kampion i Botës me Argjentinën. Ky trajner nuk kishte asnjë eksperiencë tjetër si trajner i parë përveçse drejtimit të moshave të Argjentinës. E për atë persona që shprehen se i gjithë triumfi erdhi falë Mesit, duhet të rikujtojmë se shumë trajnerë të tjerë e kanë pasur “pleshtin” në kulmin e rinisë së tij dhe sërish nuk kanë arritur të fitojnë Botërorin, por Scaloni diti sesi ta menaxhonte situatën në fundin e yllit të PSG. Pra përpara se të nisim me paragjykimet, le t’i japim një mirëseradhje Sylvinhos. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online