Kombëtarja U-17 / Kurti, Ageja & Sulejmani karikojnë kuqezinjtë: Duam të bëjmë surpriza

Kombëtarja shqiptare U-17 po përgatitet në ditën e tretë të grumbullimit për tre ndeshjet e raundit kualifikues të “Europianit 2022” me 24 lojtarët e ftuar nga trajneri Ervin Bulku, të cilët po stërviten rregullisht në kompleksin Tropikal në Durrës për turneun zyrtar. Deri tani gjithçka ka shkuar sipas planeve dhe nuk ka probleme fizike për asnjë nga ekipi i 17-vjeçarëve.

Atmosfera në skuadër është shumë pozitive dhe këtë e dëshmojnë edhe prononcimet e lojtarëve të thirrur, të cilët janë shumë optimistë për paraqitjet e Kombëtares në këto eliminatore.

“Në këto ditë të para të grumbullimit ndihem shumë mirë, gjendja e grupit është shumë e mirë. Kemi nisur grumbullimi për t’u përgatitur siç duhet dhe për të shkuar në Europian me synime të qarta për të marrë atë që pretendojmë. Synojmë të bëjmë sa më mirë në të treja ndeshjet dhe pse jo të mendojmë kualifikimin. Objektivi që mund të arrijë kjo skuadër mendoj se është vendi i dytë në grup. Në aspektin personal shpresoj shumë që në të ardhmen të bëhem një lojtar i Kombëtares A dhe të jem protagonist me fanellën kuqezi”, – u shpreh Arlind Kurti.Mbrojtësi Arlind Kurti duke folur për Fshf.org thotë se Shqipëria U-17 duhet të synojë të renditet sa më të lart në grupin e eliminatoreve dhe të bëjë një paraqitje sa më të mirë.

Ndërsa, sulmuesi Orsi Ageja thekson se ky grup ka shumë cilësi e elementë të talentuar dhe mund të synojë të bëjë gjëra të mëdha në eliminatore.

“Edhe unë ndihem shumë mirë në këto të grumbullimit me Kombëtaren U-17, edhe grupin e shoh në gjendje dhe jam i lumtur që përgatitjet po shkojnë sipas planeve. Objektivi është në radhë të parë të bëjmë një paraqitje sa më të mirë, të zbatojmë sa më shumë detyrat e trajnerit dhe të japim maksimumin në fushën e lojës. Kjo skuadër mund të arrijë shumë, sepse ka cilësi të mëdha në vetvete. Synimi është të shohim sa më lart për të arritur në vendet e para të renditjes së grupit. Në planin personal duhet të punoj sa më shumë për t’i ngjitur shkallët një nga një dhe të kem arritje të mëdha në karrierë”, – tha Orsi Ageja.

Sulmuesi tjetër, Flavio Sulejmani, i cili aktivizohet në Itali me Periugia-n, ndihet mirë në këtë grumbullim, teksa nuk e fsheh dëshirën që një ditë të jetë pjesë e Kombëtares dhe të bëhet protagonist në arenën ndërkombëtare.

“Sigurisht ndihem i lumtur që jam këtu dhe me shokët e skuadrës shkojmë shumë mirë. Jam i emocionuar, por jam i bindur që do të bëjmë paraqitje të mira në Europian dhe të marrim po ashtu rezultate të mira. Skuadrën e shoh në formë, objektivi ynë është ta nisim me fitore dhe të kemi sa më shumë gjëra të bukura në këtë Europian. Dëshiroj shumë që një ditë të luaj me Kombëtaren A dhe të bëhem një nga futbollistët më të rëndësishëm të Shqipërisë”, – deklaroi Sulejmani.

Përfaqësuesja do të udhëtojë drejt Irlandës së Veriut teksa më datë 27 tetor do të zhvillojë ndeshjen e parë ndaj Italisë. Më datë 30 tetor kuqezinjtë do të sfidojnë Skocinë dhe më datë 2 nëntor përballen më vendasit e Irlandës së Veriut.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *