Kombëtarja, sot “etapa” e re e…Panuçit

Nga Fatmir Efica

Sot përballë Shqipërisë është një skuadër modeste si Lihtenshtejni. Një sfidë e radhës për kualifikueset e Botërorit “Rusi 2018”. Duket një ndeshje shtëpiake e lehtë në letër, pasi nga Lihtenshtejni, vjen shpejt një transfertën “ferri”, me Maqedoninë vetëm tre ditë më pas. Shqipëria e dimë se ka sot edhe një debutim, atë të trajnerit të ri. Vjen po nga Italia, nga kishte ardhur Xhani De Biazi. Ky i fundit do të mbahet mend gjatë si njeriu që transformoi gjithçka me metodat e tij efikase. Tani në pankinën kuqezi Kristian Panuçi e ka të qartë nga duhet të fillojë. Më së paku nga ruajtja e qëndrueshmërisë së këtij ekipi që jo shume larg, por një vit më parë kishte prekur një “majë” të madhe, luajtjen për herë të parë në finalet e një Kampionati Europian.

Futbolli modest shqiptar ka hyrë tashmë në një etapë të re. Quajeni po të doni edhe “epoka” Panuçi. Performanca sportive në raport me vitet e dekadat e shkuara, është transformuar thuajse totalisht. Ajo fitore e pastër në shifra 3-0 dhe e shkëlqyer për nga mënyra e interpretimit të ndeshjes në transfertë ndaj Izraelit, nuk është se është harruar edhe në ditët super të nxehta të kësaj vere. Një paraqitje po aq e bukur sa ndaj Izraelit, mbetet një objektiv i pandryshueshëm edhe sot përballë Lihtneshtejnit. Kjo sepse është një kundërshtar që nuk “kall frikë”. E kemi mundur në sfidat e mëparshme dy herë me të njëjtin përfundim 2-0. Më 20 gusht 2008 në Tiranë (shënues J.Hyka 1’, E.Kapllani 18’) dhe më 06.10.2016 në Durrës po 2-0 (shënues Jehle 11’(aut), B.Balaj 71’). Sot në Elbasan du(h)ket një “e treta e vërteta”. Shqipëria e ka tashmë detyrim që kjo Kombëtare kuqezi e gjitha me futbollistë të përzgjedhur nga shumë kampionate elitare të Europës, kërkon të ruajë e përsosë standarde edhe më pozitive të përfaqësimeve të saj. Prandaj sot Kombëtarja është te “vija e një starti” të ri, për të nisur të marrë jetë, shpresojmë sipas “frymës” De Biazi, “etapa” e re…e trajnerit të ri Kristian Panuçi.

Vendi i tretë në grupin “G” pas dy skuadrave fuqiplota për nga niveli, siç janë Spanja dhe Italia, konsiderohet një rrugëtim i kënaqshëm. Megjithatë, nuk duhet kurrsesi të biem në eufori. Ai progres sportiv i ëndërruar për të ruajtur vendin e tretë në këtë grup, ku pretendentet aktuale janë superfuqi futbolli, na mëson pikërisht se duhet të jemi të vëmendshëm e luajmë denjësisht edhe në sfidat e pragvjeshtës së këtij viti me Spanjën në transfertë me 6 tetor dhe ndaj Italisë që e presim me 9 tetor. Në këto duele me BIG-ët ne kemi vërtet synimet tona, por më parë duhet sot me Lihtenshtejnin të bëjmë pa asnjë gabim “detyrën e shtëpisë”. Duke fituar e triumfuar jo me siklet ndaj modestëve lihtenshtejnas. Dhe parapërgatitur transfertën ndaj fqinjëve maqedonas më “këmbë në tokë”, e pa na u “dridhur qerpiku”.

E rëndësishme është që futbolli i Kombëtares sonë, në respekt të historisë e traditave në vite e dekada, të dhjetëra futbollistëve që kanë dhënë gjithçka nga arsenali i tyre, të ridimensionojë me tej këtë trashëgimi. Tiparet e karakteristikat tona specifike kanë nevojë të ruhen e zhvillohen më tej, duke pasur në thelb tërë atë dëshirë e dashuri madhështore për lojën magjike që ka bërë përherë krenar shqiptarët kudo ku ata punojnë e jetojnë. Atmosfera futbollistike ka ndryshuar “dizenjimin” e saj ne shume faktorë e tregues që për fatin e mirë kanë tendencën e përafrimit me grupin e cilësinë e skuadrave më të mira të kontinentit e jo vetëm. Renditja e FIFA-s ku gjatë viteve të fundit kemi qenë mes vendeve 40-70 është një element inkurajimi. Pasi kemi kapërcyer në rezultate edhe Kombëtare të shteteve me potenciale më të mëdha.

Mesazhi që përcjell futbolli i Kombëtares sot llogaritet tashme ndryshe. Kryemotiv mbetet pa diskutim nderimi i Kombit tonë. Garat e përfaqësimet në të gjitha nivelet janë kuptuar e po vlerësohen si dritare ballafaqimesh interesante edhe për vetë FSHF-ne. Dinamika e proceseve zhvillimore që imponon koha na kanë rrëmbyer tashmë edhe ne shqiptarëve. Ne dy stadiumet moderne që kemi tani, “Elbasan Arena” dhe “Loro Boriçi”, të gjithë ndihemi krenarë për festat e mëdha që shohim kur luan Kombëtarja jonë. Ky entuziazëm sportiv jo vetëm duhet ruajtur, por ka qenë e do të mbetet i tillë ku në lidhje me lartësimin e emrit të Shqipërisë të gjithë duhet të bëjmë diçka më shumë. Perspektiva e Kombëtares Shqiptare të futbollit është mjaft e mirë dhe na bën të guxojmë. Start të mbarë Kristian Panuçi. Etapa e parë me Lihtneshtejnin urojmë të jetë një “gërvishtje” e mbarë për të tjera ëndrra që ju dhe ne shqiptarët futbolldashës kemi…

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *