Kombëtarja kroate dhuron premion, Daliç paralajmëron: Politikanë, mos na dilni përpara!

0

Në Kroaci ka ditë që festohet për kombëtaren, që edhe pse u mund në finalen e Kupës së Botës, sërish është nderuar në mënyrë të jashtëzakonshme, siç e meriton, pasi ka bërë diçka vërtet madhështore. Në qendër të vëmendjes natyrisht në javët e fundit ka përfunduar edhe trajneri Zllatko Daliç, i cili ka bërë të ditur se skuadra do ta dhurojë gjithë premion për vendin e dytë në Botëror për një fondacion për fëmijët kroatë.

Janë në fakt rreth 8 milionë euro që do të shkojnë për lojtarët dhe stafin, me lojtarët që do të marrin 80% të shumës, ndaj natyrisht është një gjest i jashtëzakonshëm, që do të mundësojë ndihmë ekonomike për shumë familje të varfra kroate, që nuk kanë mundësi të paguajnë asnjë ditë pushimi në verë.

Lajmin e ka bërë publik vetë Daliç, i cili me një letër të hapur ka sulmuar ashpër politikanët kroatë, të cilët e kanë futur Kroacinë në një krizë të thellë ekonomike: “Ky brez ka treguar se një grup i shkëlqyer futbollistësh mund të arrijë në majën e botës, pavarësisht nga kombi, buxheti apo rëndësia e stadiumit. Po i shkruaj këto rreshta për shkak të situatës së vështirë në Kroaci. Kroacia është vendi më i varfër i Bashkimit Europian, e qeverisur nga anëtarë të asaj që është konsideruar një organizatë kriminale. Kroacia është një vend nga i cili miliona njerëz janë arratisur në 20 vitet e fundit. Sot në Kroaci pensionistët nuk përballojnë dot shpenzimet për nevojat jetike, të rinjtë nuk përballojnë dot studimet, shëndetësia është në kolaps dhe drejtësia është e korruptuar. U kërkoj politikanëve dhe gjithë përfaqësuesve të autoriteteve që e kanë çuar popullin tim në ferr dhe në varfëri ekstreme, në dëshpërim e braktisje, që të largohen nga Kombëtarja kroate. Nuk jeni të mirëseardhur në dhomat e zhveshjes, nuk duam t’u japim dorën apo të bëjmë fotografi me ju”.

“Jeni ata që e kanë bërë Kroacinë popullin më të varfër në Europë. Kemi fëmijë që nuk e kanë parë kurrë detin, kur kemi më shumë se 1000 kilometra vijë bregdetare. Fëmijë që shkojnë të flenë të uritur sepse prindërit e tyre, të papunë, nuk kanë ç’tu japin për të ngrënë. Njerëzit që ia kanë bërë këtë gjë vendit tonë nuk janë të mirëpritur. Respektoni vendimin tonë, mos e vishni fanellën e Kombëtares për të promovuar suksesin tuaj, sepse do të shkatërronit punën tonë”.

Më pas Daliç ka përsëritur se kombëtarja është pranë popullit kroat: “Anëtarët e Kombëtares janë me popullin kroat dhe do të bëjmë ç’të mundemi për ta ndihmuar, përtej fitoreve. Gjithë fëmijët kroatë do kenë mundësi të kalojnë të paktën një javë pushime në bregdet. Është më e pakta që mund të bëjmë për më të dobëtit”.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.