PËRGATITI: JURGEN ZELA
Sigurisht që për futbollin nuk ka nevojë t’u flasësh një pjesë të madhe të shqiptarëve, pasi janë gati në çdo moment që të të japin leksione, edhe pse jo gjithnjë kanë të drejtë.
Nëse ne futboll numri i specialistëve e kalon numrin e gazetarëve apo atyre që merren vete më këtë sport, në Regbi apo futbollin Amerikan siç e njohin ndoshta disa nuk ka shumë njohuri pjesa më e madhe e shqiptarëve, për të mos thënë se shumica nuk e njohin aspak këtë gjini të sportit.
Në vitet e fundit, ky sport ka nisur që të aplikohet nga një grup jo i vogël individësh me pasion dhe dëshirë për ta përhapur sa më shumë.
Për të parën herë vendi ynë do të ketë përfaqësimin e saj në arenën ndërkombëtare me një KOMBËTARE REGBI, e cila e nis përfaqësimin e saj nga një aktivitet në Serbi. Kombëtarja e Regbit do të marrë pjesë në një turne Ballkanik që do të zhvillohet në Beograd këtë fundjavë dhe regjistron të parën herë përfaqësimin e Shqipërisë si një Kombëtare në arenën ndërkombëtare.
Për “SportEkspres.com” është kapiteni i skuadrës së Tiranës, Dejvi Dashi, ai i cili rrëfen më shumë për këtë sport që ka nisur të marrë terren dhe në vendin tonë. Lojtari i Kombëtares tregon se në Përfaqësuese do të ketë lojtarë dhe nga jashtë vendit, por njëkohësisht tregon objektivat që do të ketë përfaqësuesja në këtë event. Jo vetëm kaq, por Dashi beson se e ardhmja do të jetë akoma dhe më e ndritur për Regbin në Shqipëri, pasi gjithçka po shkon në rrugën e mbarë.
-Dejvi, në radhë të parë mund në na jepni disa detaje më shumë për krijimin e përfaqësueses së Regbis, pasi është hera e parë që Shqipëria do të marrë pjesë në një event ndërkombëtare me Kombëtaren e saj?
Ne jemi thirrur për një Turne Ballkanik, që zhvillohet në Beograd gjatë një fundjave dedikuar Regbisë. Menduam se është momenti perfekt për të marrë pjesë, duke konsideruar zhvillimin që kemi pasur dhe interesin që kemi hasur. Kjo Kombëtare ka mobilizuar shumë shqiptar, që luajnë Regbi jashtë vendit dhe një nga aspektet më pozitive të kësaj eksperience është bashkëpunimi me ta.
-Për çfarë eventi bëhet fjalë?
Turneu zhvillohet përpara Konferencës Ndërkombëtare Europiane dhe ka si qëllim shfaqjen dhe njohjen zyrtare të Kombëtareve Ballkanike.
-Sa i rëndësishëm është fakti që më në fund arritët që të krijoni një përfaqësuese?
Kjo ka qenë ëndrra që në fillim. Fatmirësisht në këtë ekip luajnë edhe pionierët e këtij sporti në Shqipëri dhe pas gjithë këtyre viteve punë intensive, për zhvillimin e këtij sporti, ndihet si një fitore e vërtetë. Kombëtarja na ka lidhur me tifozë dhe lojtarë shqiptar jashtë vendit, çka ka qenë një eksperiencë më vete.
-A ka nisur sporti i Regbisë të marrë terren në Shqipëri?
Pa dyshim. Qytetet e tjera kanë treguar interes. Ne kemi organizuar ndeshje jashtë Tirane dhe disa herë kemi pasur stërvitje ku përfshijmë ata që na vizitojnë. Nuk ka ekipe në qytetet e tjera, por shumë shpejt do të ketë. Në Tiranë jemi përhapur edhe pse me vetëm dy ekipe. Hapi i radhës është trajnimi i individëve të duhur, që të zhvillojnë Regbin në qytetet e ndryshme.
-Si do të jetë për ju që ta nisni rrugëtimin si përfaqësuese ne Serbi? Mund të jetë një emocion i veçantë?
Kemi luajtur më parë në Serbi me ekipin e Tiranës të Regbis. Ka qenë një eksperiencë shumë e këndshme edhe pse kishim tension përpara se të luanim. Mikpritja ishte e mirë dhe lojtarët serb u siguruan që të mos kishte asnjë incident. Tifozët u treguan mjaftueshëm të respektueshëm. Kjo tregon se politika, sido që të shkojë, nuk ka ven në Regbi.
-Cilat janë synimet e kësaj përfaqësuese në këtë event?
Synimi ynë ështe të kthehemi me kokën lart. Me fitore apo jo është pak e rëndësishme, pasi luajmë me kundërshtarë që kanë shumë eksperiencë. Paraqitja me sa më shumë dinjitet është fokusi ynë për këtë turne.
-Si e shikoni të ardhmen e këtij sporti në vendin tonë?
E ardhmja duket premtuese. Interesi po shtohet, kushtet po përmirësohen, donatorët sa vijnë e shtohen dhe këto janë disa elementë që krijojnë baza për të ardhmen. Kushdo që do të na bashkohet për të luajtur, mjafton të ketë dëshirë, sepse neve ajo na duhet.
–Për ju personalisht sa do të thotë pjesëmarrja në kombëtaren e Regbis?
Unë jam shumë i lumtur që jam pjesë e këtij ekipi. Gjithmonë kam dëshiruar të përfaqësoj vendin tim, që kur kam filluar që të luajë këtë sport. Dua që të jem në fushë, t’i lë emocionet dhe të performoj siç duhet edhe pse do të kem më shumë emocione se kur luaj për Tiranën.
-Keni një thirrje për tifozët, që nuk e njohin shumë këtë sport, tani në rolin e një pjesëtari të Kombëtares së Regbit?
Dua që tifozët të shohin arritjet tona. Dua që të kuptojnë se është gati një dekadë punë, që na ka çuar këtu. Sigurisht që kam dëshirë që të ndjekin sporte të tjera veç futbollit dhe të mbështesin këdo në familjen e sportit. Vetëm ne e dimë se sa kënaqësi ndjejmë kur marrim përgjigje nga tifozët për punën e bërë. Ata janë shtysa më e mirë për zhvillimin e një sporti, që në fund të fundit është aspekti i një jete plotësuese.