Në sport rëndësi ka pjesëmarrja, kjo dihet, sidomos për në shqiptarët, që për fat të keq nuk kemi as terrene për të ushtruar sportin, edhe sikur ta kemi më qejf që në vend të kafeneve të shkojmë e të merremi me sport.
Ndoshta parlamentarët tanë do bënin mirë që pasi të gjenin plagët e shqiptarëve, të përmendnin edhe arsyet pse njerëzit rrinë kafeneve e lotove, sepse askush nuk e thotë që pikërisht këta qeveritare monstruozë e kanë kthyer vendin në një mal pallatesh bosh, duke zaptuar çdo fushë e çdo ambient sportiv që u ndërtua në kohën e Enver Hoxhës. Ky i fundit ishte diktator i keq, për fat jemi në demokraci.
Duke qenë një vend që nuk prodhojmë asgjë, natyrisht që edhe në futboll nuk do kemi kurrë elitarë, përtej suksesit të Euro 2016, ku shkuam si shkuam.
Me urdhër të UEFA-s, kemi formuar kombëtare femrash dhe kemi edhe kampionat femrash, por ky kampionati luhet për qejf, futbollistet nuk paguhen dhe kombëtarja bazohet te vajzat nga Kosova dhe Shkodra, ku dikush hedh para nga xhepi u vet.
Ndërkaq, kemi formuar edhe kombëtare U17 dhe këtu nis absurditeti. U mundëm 14-0 nga Irlanda para pak ditësh dhe u mundëm sot 8-0 nga Serbia, në kualifikueset e Europianit. Po ç’lidhje kemi ne me futbollin e femrave? Për shtetin ai nuk ekziston, asnjë fushë, asnjë fond, asnjë trajnim jashtë shtetit, asnjë grumbullim e investim modest.
FSHF nuk organizon dot kampionat U17 dhe nuk ka as fonde e as mundësi të ketë kampionat, ku nuk ka trajnerë, nuk ka vajza e nuk ka fusha. Për çfarë dreqin i çojnë këto vajza që luajnë për hobi, të rrethuara nga injoranca e këtij populli, që të tallen të huajt me ne, apo rëndësi ka pjesëmarrja?