Po ky, a është italian? Kjo është pyetja spontane që lind te shumë njerëz, kur shohim Shqipërinë e ndeshjeve të fundit. Tifozët në Evian ishin të shumtë, vetëm ata ishin kuqezinjtë që meritonin duartrokitje, ndërsa Panuçi dhe lojtarët dolën kokulur, sërish.
Është normale që të fajësohen të gjithë, por lojtarët janë thuajse të gjithë ata që na kanë nderuar për vite me radhë dhe i kemi adhuruar, ndaj nuk ka mundësi që të kthehen në mediokër apo të përkëdhelur që nuk e vrasin më mendjen për asgjë.
E vërteta është se kombëtarja nuk ka më timonier, në fushë e jashtë saj. Nuk kemi kapiten, çdo ndeshje lind i njëjti diskutim se kush do marrë shiritin. Nuk kemi as trajner, sepse skemat e Panuçit nuk i merr vesh askush, as lojtarët vetë. Sjellja e tij është acaruese, deklaratat e tij janë irrituese, a thua se me pak benzinë kombëtarja ndizet sikur të ishte Ferrari.
Grupi nuk është i qetë, harmonia mungon, liderët mungojnë, dëshira mungon: është faji i lojtarëve, apo i trajnerit? Me shumë gjasa është faji i Panuçit, tashmë topin e ka FSHF dhe Armand Duka, a mund të vazhdohet me këtë kaos?