Ishte njeriu i ndeshjes një javë më parë dhe do të provojë që dhe nesër ta ndihmojë skuadrën e tij që të avancojë më tej. Enea Koliçi duket i fokusuar në ndeshjen e kthimit me Sherifin, duke lënë pas krahëve dhe zërat e merkatos. Në konferencën për shtyp “gardiani” i Kukësi uron që aventura në Champions të mos përfundojë këtu, pasi të ardhmes nuk i dihet.
“Do të isha dy-fish i lumtur nëse do të vazhdoja të jap të njëjtën paraqitje si në ndeshjen e parë. Por nuk është çështje individi, pasi të gjithë duhet të paraqitemi mirë që të arrijmë objektivin. Të gjithë duhet të japim maksimumin. Unë kam besim shumë tek stafi dhe tek të gjithë lojtarët nga i pari tek i fundit që nesër do të japim maksimumin”.
“Nuk më interesojnë zërat e merkatos, pasi tani jam i fokusuar tek kjo ndeshje. E kam thënë që do jem në dispozicion të Kukësit deri në fund të kompeticionin dhe më pas do të shohim, pasi kemi kohë. Jam i lumtur që tek Kukësi. Kam pas një rritje shumë të madhe, kam fituar të gjithë trofetë dhe Kukësi më ka dhënë mundësinë të luaj në një kompeticion që është ëndërr për çdo futbollist. Uroj që të mos jetë as hera e parë dhe as e fundit”.
“Të gjithë duhet të jemi heronj nesër, siç e thash duhet të japim maksimumin, të bëj më detyrën tonë. Kam një parandjenjë të fortë se do ia dalim. Jemi përgatitur për çdo gjë, edhe për kohën shtesë edhe për disa lojtarët që janë shumë të rrezikshëm”.
“Dështim nuk do ta konsideroja si të tillë, pasi u paraqitëm shumë mirë në takimin e parë. Nuk e quaj dështim rezultatin e ndeshjes së parë. Jemi shumë të motivuar. Edhe presidenti na ka folur, na ka dhënë besimin e tij dhe të gjithë e kemi harruar ndeshjen e parë dhe jemi fokusuar tek ndeshja e radhës”.