KOKSH kërkon thirrjen e Asambleve, FSHF përgjigjet me letër: Është e jashtëligjshme, ja arsyet

KOKSH vijon të mos funksionojë në mënyrën e duhur dhe një gjë të tillë e ka treguar edhe këtë herë me thirrjen e dy asambleve të jashtëzakonshme. Sipas asaj që raporton “Telesport”, kreu i FSHF-së, Armand Duka, ka dërguar një letër në adresë të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, ku paraqet arsyet përse thërritje e Asambleve të Jashtëzakonshme, “statutore” dhe ajo “zgjedhore”, bien ndesh me ligjin.

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit thekson se të drejtën për të ndërmarrë një hap të tillë e ka vetëm Presidenti i KOKSH-it ose në rast kërksese me shkrim nga 2/3 e anëtarëve dhe jo Komiteti Ekzekutiv i tij, ashtu siç ka ndodhur në këtë rast. Gjithashtu statuti i KOKSH nuk është miratuar ende me vendim nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë për depozitimin e Vendimit të Asamblesë së Përgjithshme të KOKSH që miraton projekt-statutin e ri.

Më tej, presidenti Duka shton se e-maili i përdorur për të njoftuar thërritjen e dy asambleve të jashtëzakonshme në dhjetor, minimalisht duhet të shoqërohet nga Rendi i Ditës, vendi, data, ora e mbajtjes si edhe të jetë i shoqëruar nga materiale përkatëse në mënyrë që anëtarët e KOKSH të kenë mundësi të ushtrojnë të drejtat që u njeh ligji dhe statuti i KOKSH. Në këto kushte kreu i FSHF-së e sheh të jashtëligjshme kërkesën e bërë nga Komiteti Olimpik, për të arsye nuk mund të merret në konsideratë./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Letra e plotë e Presidentit të FSHF-së për KOKSH-in

Të nderuar zotërinj

Në datën 12.11.2020 jemi njoftuar përmes postës elektronike mbi vendimin e Komitetit Ekzekutiv të KOKSH për të thirrur dy asamble të jashtëzakonshme, respektivisht “statutore” më 13 dhjetor dhe “zgjedhore” më datë 23 dhjetor 2020. Sipas kësaj korrespondence, ky vendim është marrë me shumicë dhe në bazë të Statutit të KOKSH dhe në zbatim të Rezolutës së dakordësuar në Asamblenë e Jashtëzakonshme të datës 09.02.2020. Në cilësinë e anëtarit dëshirojmë t’ju sjellim në vëmendje disa aspekte të jashtëligjshme të gjithë këtij procesi.

Së pari, Asambleja e Përgjithshme e KOKSH thirret nga Presidenti, i cili në kuptim të nenit 13/3 dhe 15/1 të Statutit të KOKSH është autoriteti i vetëm që kryen thirrjen e Asamblesë përveçse kur kjo e fundit thirret me iniciativën e 2/3 të anëtarëve. Së dyti, duke qenë se jemi përpara një Asambleje të Përgjithshme vjetore, të dyja Asambletë e njoftuara do të konsiderohen të jashtëzakonshme. Në bazë të nenit 15/1 të Statutit, Asambleja e Përgjithshme e Jashtëzakonshme mund të thirret me kërkesën e Presidentit të KOKSH ose me kërkesën me shkrim të 2/3 të anëtarëve.

Sërish referuar e-mailit, ku thuhet se KE ka vendosur me shumicë vijon: – Mbajtjen e Asamblesë Statutore të KOKSH ditën e diel, datë 13 dhjetor 2020. – Mbajtjen e Asamblesë Zgjedhore të KOKSH ditën e mërkurë, datë 23 dhjetor 2020. Nënvizojmë edhe një herë se statuti nuk ia njeh Komitetit Ekzekutiv këtë kompetencë. Së treti, qëllimi i rezolutës së dalë nga Asambleja e Përgjithshme e Jashtëzakonshme e datës 09.02.2020 ka qenë zhvillimi i Asamblesë Zgjedhore në përputhje me kuadrin e ri statutor, i cili presupozohej të ishte miratuar tashmë.

Në këtë kontekst, thirrja e një Asambleje Zgjedhore (ndonëse në mënyrë të jashtëligjshme) pa pasur garancinë juridike të miratimit të projekt statutit dhe regjistrimin e tij në regjistrin e organizatave jo-fitimprurëse siç parashikon Ligji nr. 8788, datë 7.5.2001 për OFF-të përkthehet në rrezikun real që procesi zgjedhor i njoftuar për datën 23 dhjetor 2020 të mund të bëhet në bazë të statutit aktual, çka do të humbiste thelbin e gjithë procesit për revizionimin statutor. Kjo është arsyeja pse Asambleja Zgjedhore duhet të thërritet vetëm pasi Statuti i KOKSH të jetë miratuar me vendim nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë për depozitimin e Vendimit të Asamblesë së Përgjithshme të KOKSH që miraton (eventualisht) projekt-statutin e ri.

Së fundmi, për hir të transparencës dhe praktikave më të mira ndërkombëtare, ky pseudo-njoftim me e-mail duhet minimalisht të shoqërohet nga rendi i Ditës së Asamblesë së Përgjithshme, vendi, data, ora e mbajtjes si edhe të jetë i shoqëruar nga materiale përkatëse në mënyrë që anëtarët e KOKSH të kenë mundësi të ushtrojnë të drejtat që u njeh ligji dhe statuti i KOKSH. Sa kaq, ju kujtojmë se ende nuk kemi marrë përgjigje për çështjet dhe pyetjet e ngritura me shkresën e datës 24.10.2020 dhe nuk jemi njoftuar mbi “versionin përfundimtar” (nëse ka) të dokumentit më të rëndësishëm të një organizate siç është statuti.

Për arsyet e mësipërme, ky njoftim i dërguar me e-mail, nga persona jo kompetentë nuk mund të merret parasysh si i kryer në përputhje me ligjin, gjë e cila vetëm sa e thellon gjendjen e paligjshmërisë së KOKSH. Federata Shqiptare e Futbollit mbetet e angazhuar të ndjekë në mënyrë ligjore të metat e konstatuara gjatë këtij procesi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online