Rraman Hallaçi e mbylli me Kukësin dhe largimi i tij ka sjellë reagime të ndryshme. Sigurisht tifozët nuk e kanë pritur, pasi ish-mbrojtësi është pjesë e klubit verilindor që në hapat e parë në elitën e futbollit shqiptar. Kupë e fituar, Superkupë dhe kampionat. Padyshim një model në fushë dhe e thotë kushdo që e ka pasur kundërshtar, e jo më atë që kanë luftuar krah tij.
Hallaçi ka thënë fjalët e tij pas largimit dhe e ka bërë përmes një postimi në llogarinë e tij në “Facebook”. Mes shumë komenteve bien në sy disa, ai i drejtorit të akademisë Vllaznia, Alban Hasani, ish-futbollistit Bledar Hodo dhe lojtarit të Bylisit, Ardit Peposhi. Gjithashtu edhe një trajner që ka punuar që në vegjëli me Rramanin, Ilir Abeshi, ka një mesazh për të.
ALBAN HASANI – Suksese e krenar për çfarë i ke dhënë dhe ke marrë nga qyteti i Kukësit. Ke qenë kampion, si në fushë dhe jashtë saj. Je verior i vërtetë.
ILIR ABESHI – Nuk e di a më mban mend, por unë kam qenë trajneri juaj në U17 të Shqipërisë. Në kujtesën time je një djalë i shkëlqyer dhe me moral. Mos u mërzit për këtë largim të cilin jam i sigurt që nuk e meriton, por ti me zotësinë tënde do ta tregosh veten gjithkund. Unë i njoh mirë presidentët e futbollit shqiptar dhe të them mos u mërzit. Ju jeni një ikonë e qytetit tuaj, këtë mos e harro. Unë kam shumë besim që ti do ta tregosh zotësinë tënde diku tjetër.
BLEDAR HODO – Nuk është koha e fisnikut, por e zvarranikut. Zoti ta bëftë mbarë! Të përshëndes!
ARDIT PEPOSHI – Suksese o kapiten, të gjithë e dimë kontributin tënd për këtë ekip dhe jam i sigurt që do mbahesh mend gjatë nga gjithë tifozët kuksiane, madje shumë më tepër se edhe presidentët që kanë drejtuar këtë ekip. Uroj me gjithë zemër të shikoj sa më lart edhe në karrierën e re që ke nisur si trajner, sepse je një njeri që vetëm ato që kanë pasur fatin të njohin nga afër ti dinë vlerat që ke ti. Ndoshta gjithë këto vlera që ke, ndonjërin mund ta ketë bërë xheloz aty që të marrin këtë vendim për ty.