Klubi i Cincinnatit në MLS zyrtarizoi trajnerin e ri në stolin e saj. Një emër i njohur i futbollit si Jaap Stam, i cili në kohën kur ka qenë futbollist ka mbajtur veshur fanellën e Milanit, do të ishte zgjedhja e skuadrës amerikane, e cila fatkeqësisht duket se nuk e kishte shumë të qartë fytyrën e trajnerit të tyre të ri. Një gafë e madhe ndodhi gjatë zyrtarizimit, teksa në vend të fotos së Stam kishin vendosur atë të trajnerit të moshave të Ajax-it.
Diçka e tillë bëri që në rrjet të shpërthenin ironitë, madje edhe ato nga klubet kundërshtare. I surprizuar ka qenë edhe vetë Stam, i cili në një prononcim të fundit tregon se fillimisht mendoi se ishte një shaka. Megjithatë zgjedh ta kalojë me poitivitet duke thënë për “ESPN” se gabimet ndodhin.
“Isha vërtet i befasuar. Ma dërgoi foton një shok në Hollandë dhe mendova se po bënte shaka. Pas kësaj mora gjithashtu një mesazh nga dikush tjetër dhe u intrigova. Kështu që shkova të shihja foton nga faqja e klubit. U surprizova goxha, por gabimet mund të ndodhin dhe unë vetëm mund të qesh me këtë”, ka thënë Jaap Stam./Halit Delibashi-Sport Ekspres/