Liverpul po bën jashtëzakonisht mirë në fillimin ë këtij sezoni. Rezultatet deri tani për të besuarit e trajnerit Jurgen Klop, kanë qenë me të vërtetë impresionuese. Në Premier Ligë kanë 15 pikë të plota pas 5 ndeshjesh të luajtura dhe mbrëmjen e së martës konfirmuan momentin e tyre me fitoren 3-2 ndaj PSG brenda në “Anfield”.
Ditën e nesërme Liverpuli i Klop pret në stadiumin e saj, Sauthempton. Tekniku gjerman u prononcua për mediat angleze ditën e sotme dhe u pyet më së shumti për çështjen e Mohamed Salah, të cilin Klop në sfidën e fundit ndaj PSG e zëvendësoi fill pas gabimit që egjiptiani shkaktoi, që solli dhe golin e barazimit të përkohshëm të francezëve.
Klop deklaroi se me Salah çdo gjë shkon mirë dhe se gjithashtu nuk është i shqetësuar në lidhje me formën e sulmuesit. Trajneri i Liverpul shtoi dhe se golat do të vijnë me kohën dhe rëndësi ka se Salah po luan mirë.
“Në anën mbrojtëse Salah ishte i jashtëzakonshëm në dy ndeshjet e fundit. Kjo do të thotë gjithçka për mua sepse tregon se është gjithmonë i gatshëm të punojë për ekipin. Ka gjithmonë futbollistë që nuk shënojnë, por janë në gjendje të mirë dhe luajnë mirë. Të gjithë presin çdo ndeshje nga “Mo”,kjo dhe për shkak të sezonit të kaluar. Ne duam që ai të shënojë sa më shpesh të jetë e mundur. Me Salah gjithçka është në rregull, me të vërtetë. Ai humbi topin para se të pësonim golin e dytë kundër PSG-së, por kjo nuk ishte arsyeja që e zëvendësova. Ndihem mirë me të, mendoj se e njëjta gjë vlen dhe për të. Në fund të sezonit ne do të shohim se si është, jo në fillim”, përfundoi Jurgen Klop.