I pari në Premier Ligë, i përfshirë në një betejë që parashikohet mjaft e gjatë me Çelsin dhe Mançester Sitin. Më tej janë edhe Napoli dhe Paris Seint Zhermen, që janë gati t’i komplikojnë kualifikimin në Champions League. Por, pavarësisht se për Jurgen Klop dhe Liverpulin e tij, javët në vazhdim kanë qenë mjaft impenjative, trajneri gjen kohën edhe për bamirësi.
Gjermani u solidarizua me Shon Koks dhe familjen e tij. Një histori e trishtë ajo e tifozit irlandez, i cili në prillin e kaluar shkoi në “Anfilld Roud” për të ndjekur sfidën e “Reds” me Romën, të vlefshme për gjysmëfinalet e Champions League. Spektakël në fushë, por dhunë dhe gjakderdhje përpara ndeshjes. Ai që e pësoi ishte tifozi 53-vjeçar, i cili qëndroi për tre muaj në koma dhe më pas u rizgjua.
Rehabilitimi ishte beteja më e madhe për Shon Koks. Kurimet ishin mjaft të kushtueshme dhe miqtë e tifozit hapën një llogari për mbledhje fondesh për të ndihmuar familjen. Efekti ishte i menjëhershëm dhe në ndihmë të tij u grumbulluan mbi 60 mijë euro. Mes atyre që dhanë kontribut ishte edhe Jurgen Klop. Sipas asaj që zbulon gazeta “Mirror”, trajneri i Liverpulit dhuroi 5 mijë euro.
Për fat të keq, dëmtimet e pësuara në kokë e bëjnë të pamundur rehabilitimin e plotë të Shon, megjithatë tekniku i “Reds” dëshironte ti qëndronte pranë tifozit dhe familjes së tij në momentet më të vështira. Me gjestin e bërë, Klop është një përfaqësues i denjë i sloganit të famshëm të klubit: “Kurrë nuk do të ecni vetëm!”.