“Kishim shpresa te kjo lojë”, Osmani ndjen keqardhje për eliminimin nga Kupa: Na shënuan kur ishim me një lojtar më shumë

Mbrëmjen e sotme janë njohur dy skuadrat finaliste të Kupës së Shqipërisë. Do të jenë Kukësi dhe Egnatia ekipet që do të përballen për të marrë duart e tyre trofeun. Kukësi eliminoi Tiranën, pavarësisht humbjes 1-0 të marrë në “Air Albania”, ndërsa Egnatia siguroi kualifikimin pas 120 minutave lojë. Rrogozhinasve u mjaftoi një barazim 1-1 në “Loro Boriçi” për të nxjerrë jashtë garës Vllazninë. Pas përfundimit të ndeshjeve, trajnerët kanë dhënë intervistat e tyre për emisiionin “Skaner Superiore” në “MCN TV”.

Osmani (Vllaznia): “Kishim shpresa te kjo lojë. Edhe diferenca na premtonte që mund të kalohej. Në momentet më të sigurta të tonat, kur kishim një lojtar më shumë në fushë, morëm golin për një gabim individual. Na vjen keq. U skualifikuam, por na ka mbetur kampionati dhe do të përqendrohemi aty”.

Tetova (Egnatia): “Është një kualifikim shumë i çmuar për ne, për mënyrën se si shkoi loja. E kishim përgatitur ndeshjen ndryshe, por dy dëmtimet na i prishën ekuilibrat e lojës. Kontigjenti është. Mendoj që i kemi forcat për të shkuar te të dy trofetë. Te njëri kemi shkuar në finale, do ta tentojmë. Sot kemi rrezikuar goxha, me dijeninë time. Ia kërkova skuadrës që pas 25 minutave do të kishim fytyrë tjetër. Ato dëmtimet në minutat e para na nxorrën nga sistemi që përdorim gjithmonë. Përfituam nga entuziasmi që kishte Vllaznia”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/