“Kisha akord me një klub në Shqipëri”, Lilaj flet për herë të parë si lojtar i Prishtinës: Dua ta mbyll këtu

0

Klubi i Prishtinës ka realizuar një goditje të madhe në merkato këto ditë, teksa ka siguruar firmën e Sabien Lilajt. Mesfushori që më parë ka shkëlqyer te Skënderbeu dhe ka mbrojtur edhe fanellën e Kombëtares i ka surprizuar të gjithë me këtë lëvizje, pasi prej kohësh përflitej për një kalim të tij te Partizani. Vetë lojtari shqiptar ka folur si badheblu për klubin e Prishtinës dhe në fjalët e tij zbulon edhe prapaskenat e këtij transferimi.

Lilaj pranon se kishte gjetur akordin me një skuadër nga Shqipëria, por finalizimi u vonua dhe kjo ka bërë që futbollisti të hedhë sytë tjetërkund. Megjithëse di pak për futbollin në Kosovë, mesfushori shpreh dëshirën për të qendruar gjatë, deri në fund të karrierës, te ekipi i Prishtinës, si dhe të përsërisë sukseset që preku me Skënderbeun./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Postimi i klubit të Prishtinës:

Sabien Lilaj numri 88 i FC Prishtina

Shpresoj të mos e ndërroj edhe Prishtinën deri në fund të karrierës dhe të fitojë edhe te Prishtina ashtu siç kam fituar përpara.

“Për arsye familjare vendosa të lë Izraelin e të kthehem në Shqipëri. Kisha edhe një vit kontratë, meqenëse jam edhe me fëmijë të vogël, mendova se për familjen time ishte koha e duhur të kthehesha në shtëpi. Kisha rënë dakord me një ekip në Shqipëri, por për disa arsye u vonua finalizimi. Dhe erdhi oferta nga Prishtina.

Nuk kam shumë informata për futbollin e Kosovës. Dy herë kam qenë me Kombëtaren e Shqipërisë në Prishtinë, di që edhe si qytet edhe si kampionat po zhvillohet shumë.

Projekti i Prishtinës m’u duk serioz, janë optimist. Kështu që, përse jo. Një aventurë e re dhe një objektiv i ri. Synimet janë titulli dhe sa më larg në Evropë. Të bëjmë maksimumin që të arrijmë objektivat.

Këtu njoh kryetrajnerin Dallku dhe trajnerin Curri nga Kombëtarja dhe shumë njerëz tjerë nga Kosova, veçmas nga periudha Skënderbeu. Pak a shumë ndjehem si në shtëpi, pavarësisht se ka shumë gjëra për të njohur.

Gjithmonë kontratat i kam pasur afatgjate, te Skënderbeu kam qëndruar gjashtë vite dhe kam fituar pesë kampionate. Shpresoj të mos e ndërroj edhe Prishtinën deri në fund të karrierës dhe të fitojë edhe te Prishtina ashtu siç kam fituar përpara”

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.