Kievo po kalon ndoshta momentin më të errët të saj në Serinë A, që prej shumë kohësh. Veronezët janë në vendin e fundit, pas tetë javëve të luajtura, ku kanë -1 pikë, teksa i peshon dhe tre pikët që i kanë zbritur nga federata italiane e futbollit.
Fundjavën që lamë pas ekipi i Kievos pësoi një disfatë 3-1 në fushën e Milan dhe si pasojë e rezultateve të fundit u shkarkua trajneri. Për gjetjen e trajnerit të ri duket se drejtuesit e klubit veronez nuk kanë humbur kohë dhe kanë kontaktuar ish-trajnerin e kombëtares italiane, Xhampiero Ventura.
Siç raportohet nga mediat italiane, Ventura ka pranuar ofertën e Kievos dhe do të vihet në krye të skuadrës, ku ka shumë punë për të bërë për ta nxjerrë ekipin nga momenti i keq dhe për ta shpëtuar nga rënia një kategori më poshtë.