“Këta lojtarë janë shumë cilësorë”, Dama i bindur për të ardhmen: Shkojnë në ekipin e parë të Shqipërisë

Kombëtarja shqiptare U-15 për djem, që do të marrë pjesë në turneun ‘UEFA Development’ për këtë grupmoshë ka nisur që nga dita e premte përgatitjet dhe po stërvitet intensivisht nën urdhrat e trajnerit të ekipit, Armand Dama dhe stafit kuqezi.

Përveç Shqipërisë U-15, në këtë turne do të marrin pjesë edhe përfaqësueset e San Marinos, Sllovakisë dhe Ishujve Faroe, teksa të gjitha ndeshjet do të organizohen nga Federata Shqiptare e Futbollit në Qendrën Sportive të Ekipeve Kombëtare në Kamëz.

Trajneri i ekipit kombëtar U-15, Armand Dama, në një prononcim për fshf.org foli për lojtarët e përzgjedhur që do të përfaqësojnë Shqipërinë në këtë turne, duke i vlerësuar si mjaft cilësorë. Gjithashtu, ai zbuloi edhe mungesat e ekipit në këtë turne.

“Ne kemi thuajse gjithë vitin që bëjmë seleksionime me lojtarët më cilësorë të datëlindjes 2008. Tashmë e kemi përzgjedhur grupin, kemi rreth 35 lojtarë që janë në nivel shumë të mirë për mendimin tim. Kemi 2-3 mungesa këtë radhë, pasi nuk janë data të UEFA-s dhe ekipet gjithmonë krijojnë probleme në të tilla raste. Kemi Agollin e Skënderbeut që është i dëmtuar në krah dhe Blinin që e morëm në turneun e kaluar, por që fatkeqësisht apo fatmirësisht, Kombëtarja italiane e ka përzgjedhur dhe ka luajtur me ata. Shpresoj që do jetë pjesë e jona në ditët në vazhdim. Megjithatë, të gjithë lojtarët që janë këtu janë të një niveli të mirë dhe janë goxha cilësorë. Kanë nevojë të luajnë më shumë ndeshje me njëri-tjetrin që të zhvillohen më shumë sa i përket grupit.

Kurse, si individë janë cilësorë. Me kalimin e viteve, duke zhvilluar ndeshje me njëri-tjetrin më shumë, besoj se do të arrijmë të krijojmë një grup të mirë U-17 dhe U-19 dhe individë të tillë besoj se do të luajnë edhe me ekipin tonë të parë’ – tha tekniku kuqezi, i cili vlerësoi edhe aktivitetin e UEFA-s si një mundësi mjaft e mirë për kuqezinjtë e vegjël që të formohen më shumë si lojtarë, si edhe të fitojnë ndeshjet.

“Aktiviteti që zhvillon UEFA i jep mundësi elementëve të rinj që të njihen me filozofitë apo shkollat e tjera të vendeve të tjera nëpër botë. Kanë disa rregulla që të gjithë lojtarët duhet të aktivizohen dhe duhet të luajnë, pasi prioriteti nuk është ndeshja në vetvete, por është më shumë formimi i lojtarit. Megjithatë, objektivat për të fituar ndeshjet janë gjithmonë, të çdo ekip. Edhe ne do të bëjmë më të mirën tonë që të arrijmë rezultate pozitive”, – shtoi trajneri Armand Dama në prononcimin e tij për Fshf.org.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online