“Kështu ra Kukësi në grackën tonë”! Trajneri i Egnatias flet pas fitores me Kukësin: Rezultat i mirë dhe që na kënaq

Egnatia është rikthyer te fitorja pas 7 ndeshjeve. Ekipi i drejtuar nga ana e Tetovës ka arritur që të fitojë me shifrat 1-0 kundër Kukësit. Një ndeshje shumë e vështirë pasi verilindorët vinin pas disa rezultateve pozitive në këtë takim.

Goli i vetëm i ndeshjes është realizuar nga ana e Zejnullait. Në minutën e 6, pas një aksioni të bukur te Egnatia, Zejnullai arriti të mposht portierin kundërshtar. Kaq do të ishte historia e këtij takimi, me Egnatian që merr tre pikët e radhës. Më poshtë gjeni intervistat e trajnerëve në “MCN TV”:

Tetova: “Filluam një javë shumë të mirë, ishte një ndeshje që goditëm që në fillim me gol dhe pastaj e menaxhuam ndeshjen. Ishte një rezultat i mirë dhe një fitore që na kënaq. Ishte një pjesë e parë shumë e mirë me raste dhe prodhim, ndërsa në pjesën e dytë i kërkova lojtarëve që të ishin më shumë në ekuilibër. Kukësi vinte pas dy fitoreve,ne qëndruam pak prapa, e dinim që do të vinin për tre pikët dhe bëm që të binte në “grackën” tonë”.

Devolli: “Humbja është e dhimbshme gjithmonë. Ajo që nuk më pëlqeu sot, është se nuk vinim kurrë era ekip, ishim shumë të vegjël. Nuk sakrifikuam, nuk dubluam, në momentin që nuk bën këto, del i vogël para kundërshtarit. E kishim përgatitur ndryshe ndeshjen. Nuk pashë as dëshirë sot, ndoshta ndikoi edhe goli i shpejtë që pësuam. Duhet të ndryshojmë sa më shpejt fytyrën. Nuk ishim afër njëri-tjetrin, nuk dublonim dhe sakrifikonim. Edhe te porta kemi shkuar me episode, jo me logjikë. Nuk kishte lojë efektive, vetëm shtrihu, vonohu, vonohu. Nuk ka mundësi, ndeshje e Superiores dhe dukej si e Kategorisë së Dytë, vetëm vonohu, pa lojë efektive”.