“Kështu edhe Shqipëria”, Jupi për zhgënjimin e Kosovës: Një finte dhe thembër më tepër, futbollistët po luajnë për t’u dukur

Pas një serie të rezultateve pozitive që Kosova kishte marrë, erdhi momenti për një shkundje të lehtë. Nga barazimi i papritur ndaj Moldavisë, atje ku e gjithë kjo Kombëtare vlente sa gjysma e kartonit të Milot Rashicës, do ta ndiqte edhe humbja me Greqinë.

I ftuar në emisionin shqiptar që transmetohet në Kosovës, “Dueli Sportiv”, një shpjegim të kësaj situate e ka dhënë Redi Jupi. Duke treguar me detaje gjithë problemet e dardanëve aktualisht, Jupi thekson faktin se tashmë po kërkohet një thembër dhe finte më tepër, për të mbërritur në problemin që ka shoqëruar shqiptarët prej kohësh, mëndjemadhësinë e tepruar për të mirën individuale dhe duke harruar shpirtin e sakrificës për të mirën e përbashkët.

“Ne vimë pas dy rezultateve jo të mira, nga të dy ekipet kombëtare. Nëse ndeshja me Bjellorusinë ishte e mirë, ajo ndaj Lituanisë të duhet një natë e gjatë dimri për ta diskutuar. Sa i përket Kosovës, e pashë me keqardhje që bëri dy ndeshje të cilat e kthyen pak mbrapa skuadrën. Të jeni të sigurt që Kosova ndiqet shumë në Shqipëri. Përveç arsyeve që ne jemi një praktikisht, por edhe për shkakun se kur Shqipëria kishte rënie të nivelit, Kosova mori rezultate shumë pozitive. Ndonjëherë tifozlliku nuk impononohet. Njerëzit bëjnë tifoz me ekipet që luajnë më mirë, që kanë rezultate të mira, që kanë entuziazëm.

Përfaqësuesja e Kosovës i kishte me bollëk këto deri para dy ndeshjes. Në ndeshjen me Moldavinë prisja të shihja vazhdimin, pastaj e kuptova ndaj Greqisë se çfarë ka ndodhur. Ua kam thënë edhe në Shqipëri atyre që ku ishte suksesi i Kosovës në gjithë fazën e kualifikueseve që bëri. Ndërtoi një ekip të mirë dhe me sens, të motivuar dhe ku futbollistët jepnin gjithçka për fanellën. Të gjithë u mësuam me 11-shen titullare dhe nuk kishte lëvizje brenda saj.

Tani kishim një skuadër me lëvizje dhe ku kishte shumë ndryshime. Është e pamundur që një Kombëtare të qëndrojë 5 vite pa i ndërruar lojtarët pasi dëmtohen dhe bien nga forma. Ajo që më shqetësoi te Kosova ishte se lojtarët nuk dhanë 100% nga vetja e tyre. Kishte një sens të lojtarëve që luanin pak për vete, për t’u dukur. E kemi pasur ne te Kombëtarja e Shqipërisë gjatë gjithë kohës këtë. Vinin, luanin dhe donin të tregonin veten e tyre në raport me skuadrën. Dhe çfarë ndodh në futboll, se me patjetër e keni vënë re.

Deri para këtyre dy ndeshjeve, të gjithë lojtarët e Kosovës jepnin gjithçka për fanellën dhe dilnin më në pah individualitet. Tani që ka një thembër më tepër, një të jashtme më tepër, që lojtarët duan të shfaqin më tepër veten, as ata nuk bien shumë në sy dhe ekipi dëmtohet. Kërkohet të kalohet në fazën e ustallëkut, po as neve dhe as juve nuk e bëni dot. Në fund të fundit mbetemi skuadra të vogla në arenën europiane. Nëse nuk japim 100% dhe nuk luajmë për ekipin dhe jo për veten, atëherë do të kemi vështirësi si Kosova ndaj Moldavisë dhe Shqipëria ndaj Lituanisë. Mos të harrojmë se dinë edhe të tjerët të luajnë futboll, mos të kujtojmë se kemi ndonjë gen të veçantë ne që dominojmë të tjerët.

Ne nuk jemi Franca që të na tolerohet një thembër dhe një finte më tepër apo një humbje topi më tepër. Neve nuk na tolerohen. Ajo që të jep shpresë te Kosova është që ka futbollin të prirur në lojën sulmuese, megjithëse ka difekte në pjesën mbrojtëse. E merr ndonjë gol më tepër. Nëse lojtarët heqin dorë nga vetja për të mirën e përgjithshme, atëherë do të shihni edhe Kosovën me rezultate të mira”, tha Jupi. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online