Xhoshua Kimish është një nga lojtarët më të mirë në qarkullim në pozicionin e tij. 24-vjecari bavarez ka vërtetuar se është një talent “bio”, ku me paraqitjet e tij me kampionët e Gjermanisë ka bërë që mungesa e një legjende si Filip Lahm të ndihet shumë pak, për të mos thënë fare. Lojtari i “Pancerave” njihet edhe për pozicionet e shumta që arrin të mbulojë si në mbrojtje edhe në mesfushë duke e bërë atë një lojtar shumë dimensional. Gjithsesi një episod jo i zakonshëm i ndodhi atij në ndeshjen e fundit.
Mbrojtësi i Bayern është parë të rrëshqasë disa herë në fushën ”Borussia-Park” gjatë ndeshjes që kampionët e Bundesligës e fituan 1-5. Ky fragment është pikasur edhe nga kreu i klubit nga Mynihu, Uli Hënes, i cili sipas gazetës Bild e ka ndalur para dhomës së zhveshjes lojtarin dhe mësohet t’i ketë thënë të mos veshë më këpucë “Nike”, por “Adidas”. “Duhet të veshësh këpucë ‘Adidas’ që të mos rrëshqasësh kaq shpesh”, është shprehur presidenti I klubit ndaj lojtarit.
Kujtojmë që “Adidas” është firmë gjermane dhe përveçse vesh klubin bavarez, është edhe aksionere. Veshja e këpucëce të markës amerikane nga Kimish nuk ka sesi t’i pëlqejë Hënesit. Kujtojmë që mbrojtësi ka një kontratë me “Nike”. Dy firmat sportive dominojnë tregun e veshjeve sportive dhe duelojnë dhëmb për dhëmb me njëra tjetrën që prej shumë vitesh.