Andrea Agostineli është një trajner, i cili njihet mirë në Shqipëri. Trajneri italian ka drejtuar Partizanin dhe Skënderbeun në Superiore.
61-vjeçari është ndalur te situata e Juventusit dhe analizon zërat e largimit të Alegrit në fund të sezonit. Në prononcimin e dhënë për “RMC”, Agostineli shpreh preferencat e tij për trajnerin e ardhshëm të bardhezinjve.
“Varet se çfarë dëshiron të bëjë Juventusi në të ardhmen. Nëse duan një emër të madh për stolin dhe një menaxher të mirë të kampionëve, zgjidhja më e mirë është Zinedin Zidan. Në Itali unë do të vija bast për njërin midis Xhampaolos së Sampdorias ose Inzagit të Lacios. Alegri është një trajner i vërtetë, i cili ka ardhur nga poshtë dhe ka mbërritur këtu ku është. Në këto nivele të duhet të bëhesh një menaxher i aftë. Nuk mund të mbash bashkë dhomat e zhveshjes së një ekipi si Juventusi vetëm me zgjuarsi”, përfundon Andrea Agostineli.