U afrua vetëm në ditën e fundit të muajt gusht, por po rezulton një nga goditjet e Kukësit. Milosh Kërkotiç po bën mjaft mirë te kampionët këtë fillimsezoni. Mesfushori malazez, edhe pse vetëm pak kohë me Kukësin, është kthyer në një titullar fiks dhe nga ndeshja në ndeshje është rritur gradualisht. Fakti që 30-vjeçari ka qenë në aktivitet gjatë gjithë verës ka bërë që të mos e ketë problem për të arritur ritmin e skuadrës. Një tjetër faktor pozitiv, është edhe fakti se ai vjen nga kampionati malazez dhe nuk e ka pasur të vështirë të përshtatet me futbollin shqiptar. Një tjetër dëshmi që në merkato e mira është që të afrohen lojtarë që të mos kenë probleme me përshtatjen, duke evituar kështu tregun e largët afrikan, por dhe atë të vendeve të largëta të Europës. Mos të harrojmë rastin e Siraj Naser që e pati shumë të vështirë të mësohej me Superioren apo dhe azerit Rauf Alijev që ende nuk po del në lojën e tij. Një shembull i mirë jo vetëm për Kukësin, por dhe për të gjithë Superioren, që merkaton ta përqendrojë jo shumë larg Shqipërisë.