Elton Nika
Nuk ka patur një takim Duro-Alvesh, ndërsa duket se në ditën e rikthimit në stërvitje, skuadra ka zhvilluar një përgatitje të qetë. Trajneri i Flamurtarit, Shpëtim Duro, nuk ka qenë i pranishëm në stërvitje, për arsye të tij personale, ndërkohë që duket se ballafaqimi pas çështjes së krijuar, pas ndeshjes me Luftëtarin, pritet ditën e mërkurë. Vetë trajneri i skuadrës vlonjate, nuk ka dashur ta quajë problematike situatën, ndërsa i kontaktuar nga “Sport Ekspres” ka konfirmuar se ai nuk ka vetëm një lojtar në skuadër, por gjithë ekipin dhe duhet të mendojë pikërisht për të gjithë grupin, ndërsa konfirmon se për çdo çështje ka një rregullore të brendshme të klubit. “Kemi një rregullore të brendshme të klubit”, ka konfirmuar trajnerin Duro. – “Për çdo individ që thyen rregulloren, duhen marrë masat e duhura. Pikërisht për këtë rregullore unë jam strikt. Për disiplinën në ekip ka qenë në një linjë me mua edhe presidenti Idrizi, qysh në kohën kur unë u emërova trajner i ekipit. Për këtë jam mjaft i qartë. Nuk kam vetëm një lojtar në skuadër, por të gjithë ekipin, për të cilin duhet të mendoj. Unë sot nuk kam qenë në stërvitje, por duhet të kuptohet se më duhet të mendoj për të gjithë skuadrën dhe jo lojtarë në veçanti. Është klubi që ka rregulloren e vet të përcaktuar dhe natyrisht mua si trajner më takon të kem mendimet dhe vendimet e mia, sa i përket skuadrës dhe lojës së saj. Ne kemi përcaktuar një rregullore të brendshme të klubit dhe për këtë besoj jam plotësisht i qartë. Gjithsesi, ajo që thashë më lart, mbetet, pasi jam shumë strikt dhe i prerë në rregulloren dhe zbatimin e saj. Një trajner nuk ka vetëm një lojtar, por të gjithë skuadrën për të cilën duhet të mendojë”, ka konfirmuar trajneri i Flamurtarit, Shpëtim Duro. “Çështja Alvesh” nisi menjëherë pas ndeshjes me Luftëtarin, ku vetë trajneri u shpreh i pakënaqur me lojën, por edhe faktin se sulmuesi Alvesh humbi shumë topa gjatë lojës. Një kritikë, që nuk u përtyp mirë nga vetë Danilo Alvesh, i cili reagoi menjëherë mes një postimi në rrjetet sociale, por duket se drejtuesit e klubit kanë kërkuar që gjithçka në brendësi të skuadrës të mbetet sa më e qetë. Edhe vetë administratori Idrizi e quajti një “çështje brenda familjes”, ndërsa ditën e martë, me rifillimin e seancave stërvitore, pritej edhe një ballafaqim mes trajnerit dhe sulmuesit brazilian. Ballafaqim që nuk ka ardhur, ndërsa ditën e mërkurë, pritet që trajneri Duro të ketë ndoshta pse jo edhe një takim me vetë lojtarin, në një situatë, ku të gjithë në Vlorë, kërkojnë që të arrihet sa më shpejt qetësia. Në një moment, kur skuadra është me pikë të barabarta në vendin e dytë në renditje, duket se një konflikt i tillë, nëse mund të quhet kështu, nuk i duhet Flamurtarit, që tashmë ka nisur të mendojë për ndeshjen e radhës në kampionat përballë Vllaznisë në transfertë dhe të harrojë gjithçka sa i përket çështjes së krijuar gjatë këtyre ditëve.