Për ata që nuk e dinë, Erion Braçe është tifoz i zjarrtë i Partizanit. Është edhe zëvendëskryeministër, domethënë numri 2 pas numrit 1. Është tifoz si Mateo Salvini në Itali, një tifoz i Milanit që më shumë bën zhurmë e krijon probleme, sesa është tifoz real.
Sot, pas fitores 2-0 që Partizani arriti ndaj Kastriotit, Braçe si zakonisht ka festuar me një postim në Instagram, por përtej elozheve për ekipin e zemrës, që janë mëse normale, bëjnë përshtypje disa fjali në lidhje me Kastriotin.
Krutanët prej fillimit të sezonit kanë një sponsor të huaj në fanellë dhe duke qenë se kanë kontratë një-vjeçare, me të drejtë vazhdojnë ta mbajnë në fanellë.
Problemi është se kryeministrit të vendit iu tek të mbyllte biznesin e basteve sportive dhe nuk vendosi ndonjë afat brenda ligjit, por thjesht tha që në 1 janar do mbyllte gjithçka, ndërsa reklamat duhej të hiqeshin që në nëntor nga qarkullimi.
Përtej pasojave dhe antiligjit, ajo që bie në sy është se Kastriotit nuk i ka thënë askush gjë, ashtu si nuk i ka thënë asgjë as FSHF-së, kur në Shqipëri-Skoci u mbush stadiumi me reklama kompanish britanike bastesh.
Me siguri Braçe nuk i pa ato, por sot pa reklamën e Kastriotit në fanellë dhe shkruan në mënyrë absurde, sikur nuk është numri 2 i qeverisë, por si kalimtar rruge: “Shihini pak bluzat e Kastriotit! Kjo 138.com çfarë është? Kompani guroresh? Apo çimentoje? Nuk besoj! Kaq për këtë herë. Ndërkohë më duhet të përsëris një mesazh: kush e ka marre lehtë ligjin për mbylljen e moslejimin e Lojërave të Fatit në këtë vend bën gabim të madh! Po i bën dëm kolosal vetes! Ndaleni reklamimin se sanksionet do jenë kostoja shtesë mes halleve që keni!“.
Domethënë, kanë kaluar muaj nga paralajmërimi, ultimatumi, qepeni i ulur dhe arrestimet e premtuara, por Braçe kërcënon Kastriotin, por shton “Kaq për këtë herë”.
Ndoshta do duhej ta ngrinte diku tjetër këtë problem, jo në Instagram, ashtu si duhej ngritur zëri për guroret dhe fabrikat e çimentos që helmojnë Tiranën çdo ditë, mjafton të shohësh Fushë-Krujën dhe Krujën, me retë e tymit të zi që vrapojnë drejt kryeqytetit, aty ku rriten edhe fëmijët tanë (ndoshta jo të kryeministrave e ministrave, se i rritin jashtë shtetit).
Ndoshta Braçe flet thjesht si tifoz futbolli, por duke qenë edhe numri 2 i qeverisë, bën mirë të shqetësohet pak më shumë për Flamurtarin për shembull, apo për Kamzën, ku lojtarët nuk paguhen prej muajsh. Ndoshta do bënte mirë të mos ndalej te batutat dhe Instagrami, por të bëjë diçka edhe për kontratat e paligjshme që përmbytin futbollin shqiptar. Ah, po, të fitojë titullin Partizani, pa në djall të tjerat…