Kepa, De Rosi, Baloteli dhe Tevez: Zëvendësimet më të çuditshme në futboll

Në qendër të mediave sportive në të gjithë botën, është i riu Kepa Arrizabalaga. Portieri i Çelsit refuzoi të zëvendësohej në finalen e “Carabao Cup”, duke bërë që Sarri të humbte toruan dhe të rishikojë seriozisht pozicionin e tij si trajner i Bluve të Londrës.

Ky episod shumë i çuditshëm nuk ka ndodhur për herë të parë në futboll. Para portierit spanjoll, refuzimin për të dalë ose për t’u futur në lojë e kanë bërë dhe disa futbollistë shumë të njohur, si De Rosi, Baloteli (emër që pritej) dhe Karlos Tevez.

Kapiteni i Romës, De Rosi refuzoi të futej në fushën e lojës kur iu kërkua nga trajneri i Italisë, në ndeshjen e tij të fundit me kombëtaren. Pas këtij debati me trajnerin e tij, italiani shpjegoi gjithçka para mediave: “I thashë trajnerit që na duhej të shënonim. Duhej një sulmues në fushën e lojës dhe unë. Më kuptoi dhe nuk ka vend për debat”,- u shpreh mesfushori asaj kohe.

Baloteli… ah Baloteli, sulmuesi që jo rrallë është në qendër të vëmendjes me gjestet e tij. Gjatë kohës kur luante me Mançester Sitin, italiani ka krijuar shpeshherë polemika. Një takim miqësor përballë LA Galaksi, Baloteli e konsideroi si stërvitje, duke provuar një goditje me finte në një rast të sigurt për gol, veprim që acaroi jo pak teknikun Mançini, i cili e zëvendësoi menjëherë. Dyshja italiane u “divorcua” shumë shpejt, por fillimisht u kapën me grushte në stërvitje. I pabesueshëm “SuperMario”.

Edhe Karlos Tevez ka bërë protagonistin gjatë një zevendësimi kur luante për Mançester Sitin. Në sfidën kundër Bajernit në vitin 2011, argjentinasi refuzoi të futej në fushën e lojës në pjesën e dytë, me skuadrën blu të Mançesterit që po mposhtej 2-0. Trajner? Sërish Roberto Mançini…

VERONIK ISTREFAJ

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *