Është Çelsi finalisti i dytë në Europa League, pas Arsenalit, sepse Blutë kanë mundur me 11-metërsha 4-3 Frankfurtin, në një ndeshje dramatike.
Çelsi e priste disi më të lehtë, pas barazimit në Gjermani, por Frankfurti po tregon se është një ekip fantastik dhe nuk i druhet askujt.
1-1 90 minutat e gjysmëfinales së kthimit në Europa League dhe Arsenali finalist duhet të presë, sepse ka ende shtesa për të luajtur në Stamford Bridge.
Çelsi shënoi në minutën e 28-të me Loftus-Çik dhe u duk se i vuri punët në vijë, por pak nga pak Frankfurti u rrit dhe barazimi me supertalentin Joviç ishte i merituar në pjesën e dytë.
Ndeshja u hap totalisht në 30 minutat e fundit dhe Frankfurti fitoi gjithnjë e më shumë terren, por edhe besim. Çelsi me fat, sepse Azpilikueta mund të dilte me karton të kuq në një kundërsulm gjerman.
Asnjë gol as në shtesa, aty ku Frankfurti luajti mjaft mirë, por Çelsi pati ankesa për një gol të anuluar me VAR, kur Azpilikueta shënoi, duke i hequr topin nga duart portierit Trap.
U desh lotaria e penalltive: Haller e nisi me gol për Frankfurtin, Barkli barazoi, të dy me gjuajtje perfekte. Joviç mposhti Kepan me pak fat, sepse spanjolli e preku topin, ndërsa Trap kreu pritjen e shpresës së madhe gjermane, duke pritur penalltinë e Azpilikuetas.
De Guzman perfekt, shënoi golin e tretë për Frankfurtin, duke gënjyer totalisht Kepan, Zhorzhinjo shënoi për Çelsin me një gjuajtje të zgjuar.
Hintereger gjuajti shumë keq, qendrore, dhe Kepa priti me këmbë pa lëvizur nga vendi, duke bërë që llogaritë të barazoheshin totalisht, sepse pas tij David Luiz shënoi me një gjuajtje të pakapshme.
Gonsalo Pasiensia, i futur për të gjuajtur penallti, u ndal nga Kepa, heroik, ndërsa Hazard vulosi fitoren me një gjuajtje të saktë.
Europa League final…
WE ARE COMING! ?#CHEFRA pic.twitter.com/D6QSy9UPcl
— Chelsea FC (@ChelseaFC) May 9, 2019