“Kemi rezervuar karriken për Mesin”, zbërthehen te PSG: Nuk i lusim Mbapenë e Nejmarin, Tuhel? Nuk drejtohet me teka

E ardhmja e Lionel Mesit është kthyer në një nga çështjet kryesore të futbollit që prej verës që lamë pas. PSG është përfolur shpesh për një transferim të yllit argjentinas, ndërsa së fundmi është drejtori sportiv i kamponëve të Francës që thyen heshtjen. Leonardo ka dhënë një intervistë për “France Football“, ku sqaron çështjen Mesi, shkarkimin e trajnerit Tuhel si dhe rinovimet në radhët e klubit parisien.

Shkarkimi i Tuhelit

“Ne nuk i ndërruam trajnerët vetëm për t’u dukur. Nuk mendoj se mund të vijë si një surprizë për Tuhelin. Nuk ishte hera e parë që diskutuam së bashku situatën. Mbase ai nuk më kuptonte më…  Ju nuk drejtoni një klub me teka. Mendoni se po shpenzojmë miliona duke blerë lojtarë ose duke ndërtuar një strukturë të re stërvitore dhe duke shpenzuar vetëm disa minuta për t’u ndarë me një trajner për qejf?”.

Rinovimet e Mbapesë dhe Nejmarit

“Shpresoj se ata janë të bindur që PSG është një vend i mirë për momentin për një futbollist nga një nivel shumë i lartë dhe ambicioz. Ne thjesht duhet të gjejmë një marrëveshje midis dëshirave të tyre, kërkesave të tyre, pritjeve tona dhe mjeteve tona. Nuk i lutemi atyre: Ju lutemi qëndroni. Është më e argumentuar se kaq. Ata që duan vërtetë të qëndrojnë do të qëndrojnë. Ne flasim rregullisht dhe kam ndjenja të mira për këto dy çështje”.

Transferimi i Mesit

“Lojtarët e shkëlqyeshëm si Messi do të jenë gjithmonë në listën e PSG-së. Por sigurisht që nuk është koha për të folur në lidhje me të ose për të ëndërruar për të. Por ne jemi ulur në tryezën e madhe të atyre që po ndjekin nga afër këtë dosje. Në fakt, jo, ne nuk jemi ulur ende, por karrigia jonë është e rezervuar. Katër muaj (deri në fund të sezonit) në futboll është një përjetësi, veçanërisht në këtë periudhë”, ka deklaruar Leonardo./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *