Bashkimi i Shqipërisë dhe Kosovës në basketboll është përfolur prej disa muajsh, por tani duket të marrë më tepër formën e konkretizimit dhe po bëhet gjithnjë e më reale. Një kampionat i përbashkët do të bënte bashkë klubet shqiptare, si ato në Shqipëri edhe ato në Kosovë. Një iniciativë e tillë është marrë gjithashtu edhe në futboll, por situata e krijuar prej pandemisë ka bërë që plani të shtyhet për disa kohë.
Ndërkohë i ftuar në emisionin “Fan Zone” për ditën e sotme ka qenë edhe kreu i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Avni Ponari, i cili ka ndarë edhe lajme positive në lidhje me këtë temë. Nëse në deklaratat më parë do të shprehej se duhej marrë fillimisht një konfirmim nga FIBA, tashmë drita jeshile prej tyre ka ardhur, ndërsa presidenit i FSHB-së tregon se bisedimet po shkojnë ashtu si duhet. Gjithashtu gjatë fjalës së tij është ndalur edhe te fati i kampionatit të këtij viti në basketbollin shqiptar, teksa jep edhe zgjidhjet për të përfunduar sezonin. Ashtu si edhe futbolli, Ponari thekson se titulli duhet fituar në parket e jo në tavolinë.
“Prej dy muajsh janë ndalur ndeshjet dhe pak ka ngelur. Kemi vendosur që titulli të vendoset në parket dhe këtë e kemi arritur me marrëveshje me klubet. Jemi në pritje të takimit të parë për të mësuar se kur do të kthehemi në stërvitje apo ndeshje. Duhet një kohë e gjatë për rinisur pasi shumica e klubeve kanë lojtarë të huaj që janë larguar e nuk mund të kthehen në Shqipëri, pasi janë mbyllur edhe linjat ajrore. U kemi dhënë dy versione skuadrave që të grumbullohen dhe ndeshjet të luhen vetëm në një pallat sporti. Federata e ka mundësinë vetëm po të zhvillohen në një pallat sporti. Ne nuk do të bëjmë asnjë ndeshje pa gjetur akordin me klubet.
Shtyrja deri në shtator: “Mund t’i shtyjmë ndeshjet për muajin shtator, nëse do të jetë mundësia, pasi duam ta nxjerrin fituesin në parket dhe jo në tavolinë. Të gjitha ekipet kërkuan 2-3 javë kohë për t’u stërvitur e kjo do të bëhet kur të gjithë të jenë gati dhe në mënyrë të barabartë”
Liga Rajonale: “Është biseduar gjatë dhe ka pasur mendime nga më të ndryshme. Tani Kosova është pjesë e FIBA-s dhe ne duhet të marrim shembullin e vendeve nordike. Në Shqipëri 5-6 ekipe mund ta përballojnë ashtu si edhe në Kosovë. Diskutimi po ecen siç duhet dhe nga FIBA kemi marrë miratimin”, ka deklaruar Avni Ponari./Halit Delibashi-Sport Ekspres/