Olsi Rama ka qenë i ftuar në emisionin “Sport News” në “News 24” ditën e sotme, ku ka folur për problemet e futbollit. Klubet e Superiores kanë hyrë në bojkot, përfshirë edhe Partizanin ku mban rolin e drejtorit sportiv, por sërish Kryeministri Rama nuk ka miratuar kërkesat e paraqitura nga Liga Profesioniste.
Drejtuesi i Partizanit tregon se nuk flet me vëllanin e tij, kreun e Qeverisë shqiptare, për çështjet e futbollit dhe se hera e fundit që kanë pasur komunikim në lidhje me këto tema ka qenë vitn e shkuar për dhunën në sport. Gjithashtu shton se bisedat e tyre rreth futbollit sillen vetëm rrotull Juventusit, ekip me të cilin janë të dy tifozë.
“Kam patur një komunikim që vjet me të për masat kundër dhunës në sport dhe masat fiskale. Bojkoti erdhi papritur. Kemi bërë një pakt të mos flasim për këto probleme. Kur kemi folur për futboll, kemi folur më shumë për Juventusin dhe thuajse shumë pak për Partizanin. Ai e ka të qartë, është simpatizant i sportit. Është shumë dashamirës që të ndihmohet sporti.
Është bërë si bojkoti i Superiores, por nuk duhet të ndihmohet vetëm futbolli. Duhet të ndihmohet arti dhe fusha të tjera. 30 vjet më parë sporti dhe arti financohej dhe mbështetej nga shteti. Tani kemi kaluar në një ekonomi tjetër. Janë bërë ndryshime në ligj që favorizojnë, por duhet më tepër. Pastaj se sa do të arrihet gjuha e përbashkët, është në dorën e aktorëve pjesëmarrës”, është shprehur Olsi Rama./Halit Delibashi-Sport Ekspres/