Nga Klaudio Ndreca
Kielini ka nxjerrë në treg edhe autobiografinë e tij, “Unë, Xhorxho”, atje ku ka treguar shumë prapaskena dhe ka pasur disa përkufizime ofenduese për lojtarë të tjerë. Mes tyre futej edhe Mario Baloteli, ku sipas mbrojtësit të Juventusit, ishte një person negativ dhe pa respekt për grupin.
“Baloteli është një person negativ, pa respekt për grupin. Në Kupën e Konfederatave në vitin 2013 nuk na dha një dorë në asgjë. Diçka kjo që ishte për ta marrë me shpulla. Një akoma më i keq ishte Felipe Melo. Më i keqi i të këqinjve. Kishte gjithmonë një sherr me të. I thoja gjithnjë menaxherëve: Është një mollë e kalbur”, është kjo një nga frazat e shkëputura nga autobiografia.
Por nuk ka vonuar shumë edhe përgjigja nga Baloteli. Ky i fundit është shprehur se Kielini nuk ka pasur asnjëherë guximin që t’ia thotë këto fjalë në fytyrë, ndërsa e mbyll duke thënë se nëse lojtari në fjalë konsiderohet kampion duke vepruar në këtë mënyrë, nuk pranon që të jetë një i tillë.
“Të paktën unë jam i sinqertë dhe kam guximin që t’u tregoj njerëzve gjithçka në fytyrë. Që nga viti 2013 ti ke pasur kaq shumë mundësi për të vepruar si një burrë, por kurrë nuk e ke bërë këtë. Kush e di se çfarë do të thuash për shokët e tu aktual, kapiten i çuditshëm. Nëse kjo do të thotë që të jesh kampion, preferoj të mos jem një i tillë. Asnjëherë nuk kam treguar mungesën respekti për fanellën e Kombëtares”, ka shkruar Baloteli. /Sport Ekspres/