Një deklaratë e fortë e futbollistit shkodran Arsaed Rahova, i cili akuzonte bujshëm se Shkodër luajnë fëmijët e të fortëve që të vënë pistoletën në kokë dhe të rekomanduarve nga politika, ka bërë që t’i dalin “petët lakrorit” në Shkodër.
Kapaku i “pusetës” është hapur dhe Vllaznia u mundua të shuante gjithçka me një reagim zyrtar, ku akuzonte Rahovën se fliste nga inati se nuk luante dhe se ishte federuar te Vllaznia duke pasur probleme me dokumentacionin.
Drejtuesit e Vllaznisë shprehen në reagimin zyrtar se janë të gatshëm ta lënë të lirë Rahovën, nëse ai paguan detyrimet për periudhën e formimit te Vllaznia.
Megjithatë, tashmë pas Rahovës po marrin zemër edhe futbollistë të tjerë dhe po thonë atë që në fakt e dinë të gjithë dhe që e kanë thënë edhe të tjerë, trajnerë shkodranë apo jabanxhinj si Ernest Gjoka, apo ish-futbollistë me emër në Shkodër.
Futbollisti shkodran Ambroz Kapaklija ka reaguar fuqishëm në faqen e Vllaznisë në Facebook, duke shkruar: “Mos trego të vërtetën, sepse të heqin. Kulmi i servilave dhe përfituesve, mjerë Vllaznia në dorë të kujt ka rënë. Bravo e madhe për Rahovën, shumë lojtarë vuajnë si ai, por kanë frikë të flasin, se i heqin. Po flisni mor çuna, jeni me fat nëse ju heqin, sepse jeni duke ia parë sherrin hajnave e servilave që punojnë te Vllaznia“.
Edhe mbrojtësi 21-vjeçar Armenis Kukaj ka reaguar: “E vërteta djeg, por mbetet e vërtetë. Bravo Arsaed Rahova!”.
Me siguri historia nuk mbyllet këtu, sepse në ditët e ardhshme do të rritet orteku i denoncuesve me masakrën që ndodh prej vitesh te Vllaznia.