Kategoria Superiore U-17/ Mësohet finalja e madhe, do të luhet mes Internacional Tirana-Akademia e Futbollit

FC Internacional Tirana – Akademia e Futbollit është finalja e madhe e Kategorisë Superiore U-17, që do të përcaktojë fituesin kombëtar të këtij sezoni. FC Internacional Tirana fitoi me përmbysje ndeshjen ndaj Apolonisë me rezultatin 3-5. Fierakët kaluan fillimisht në avantazh me Pucin, në minutën e 19-të të takimit, duke zhvilluar një pjesë të parë mjaft të mirë. Kryeqytetasit patën disa raste, por nuk e gjetën dot golin e barazimit gjatë 45 minutëshit të parë të lojës.

Me fillimin e pjesës së dytë të lojës, Bocka barazon shifrat në minutën e 47-të. Tre minuta më vonë, Cakaj kalon sërish në avantazh Apoloninë, me një gol mjaft të bukur. Fraksioni i dytë prodhoi emocione të mëdha, teksa në minutën e 60-të, Ersi Syla barazon sërish shifrat në 2-2. Janë sërish fierakët ata të cilët kalojnë përpara, me golin e shënuar nga Puci, i cili shënon kështu edhe golin e dytë personal, në minutën e 64-t. Dhjetë minuta më vonë, Syla i Internacional Tiranës barazon rezultatin në 3-3, duke gëzuar kështu kryeqytetasit dhe duke hapur lojën.

3 minuta para mbylljes së kohës së rregullt, Kote shënon golin e katërt për ekipin e Internacional Tirana, duke përmbysur kështu rezultatin. Në minutën e 91-të, talenti Syla shënon golin e tretë personal dhe të pestin me skuadrën e Internacionalit, duke vulosur kështu shifrat në 3-5. Ekipi i Internacional Tiranës preu kështu biletën për finalen e madhe të Kategorisë Superiore U-17.

Ndërkohë, në ora 18:00, u zhvillua ndeshja tjetër gjysmëfinale mes Akademisë së Futbollit dhe Shkëndijës së Tiranës. Sfida prodhoi mjaft emocione dhe raste, por vetëm një gol, të shënuar nga Dijar Nikqi në minutën e 9-të të takimit, i cili kaloi në avantazh Akademinë e Futbollit. Ekipi i Akademisë së Futbollit është skuadra e dytë finaliste e këtij sezoni futbollistik. Fituesi i Kategorisë Superiore U-17 do të diskutohet mes dy skuadrave, Internacional Tirana – Akademia e Futbollit, ekipe që kanë dhuruar spektakël në këtë edicion.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online