Andorra ka një kampionat amator, dihet, por për nga organizimi na jep leksion, sepse që para dy ditësh ka hedhur shortin e kalendarit për sezonin e ardhshëm.
Kampionati i Andorrës është i vetmi në Europë që nis pas Superiores sonë, sepse do të startojë më 17 shtator, një javë pas nesh.
Megjithatë, në Andorrë i kanë bërë llogaritë shumë më mirë se ne, sepse kanë vetëm 8 klube në Divizionin 1 dhe në total luhen 27 javë, mes kampionatit të rregullt dhe fazës play-off, ku 4 skuadra ndeshen për titull dhe 4 për të përcaktuar kush bie nga kategoria dhe shkon në play-off.
Faza play-off nis më 21 prill dhe do të përfundojë më 20 maj, që është edhe data limit e vendosur nga FIFA për çdo kampionat, për të lënë më pas hapësirë për përgatitjet për Kupën e Botës 2018.
Llogaritë janë të thjeshta: një kampionat amator me 27 javë nis një javë pas kampionatit shqiptar, që do të luajë 36 javë dhe nuk dihet ku do t’i ngjeshë gjithë këto javë. Përveç kësaj, Andorra e nis pjesën e dytë të sezonin rreth mesit të janarit, ndërsa në Shqipëri e marrim me nge, nga fundi i janarit ose në shkurt, po ra shumë shi.