Për ish-futbollistin e trajnerin e Vllaznisë, Hysen Dedja, është e vështirë kur e shikon këtë skuadër në Kategorinë e Parë. Por duke e quajtur një kolaudim të saj për kalimin në Superiore sezonin e ardhshëm, për SportEkspres.com Dedja deklaroi se lufta në pjesën e dytë të sezonit do të jetë e ashpër.Si kryesuese në grupe parashikon Vllazninë në Grupin A dhe rivalitetin Bylis-besa në Grupin B. Për mbijetesë ai parashikon rrezikshmëri për të gjitha skuadrat që do të luftojnë qëndrimin në Kategorinë e Parë.
INTERVISTOI: AGRON KAJA
Jemi një javë para rinisjes së Kampionatit të Kategorisë së Parë, si e përshkruani ritmikën përgatitore të skuadrave?
-Të gjitha skuadrat duken të impenjuara në këtë minifazë përgatiore që po zhvillojnë. Seicila sipas buxheteve e mundësive, por më shumë kanë sfiduar kushtet atmosferike, Ndërsa Lushnja i harxhoi kot ato pare në Ulqin, më mirë të kishte marrë 2-3 lojtarë të rinj.
Në treguesit e përgatitjes, merkatos e miqësoreve, clat skuadra kanë bërë diferencën në këtë periudhë?
-Diferencën e kanë bërë stërvitjet në salla të mbyllura e kalçeto, ndërkohë që Besa dhe Bylisi u treguan shumë aktivë në miqësore, Madje edhe në merkato këto janë skuadrat më aktive. Skuadrat e tjera janë treguar të zakonshme në këtë periudhë.
Si e parashikoni rivalitetin në kreun e renditjes në të dy grupet e Kategorisë së Parë?
-Në të dy grupet do të ketë rivalitet për vendet e kreut, por në Grupin B mendoj se do të jetë më i fortë mes Bylisit e Besës, por ballshiotët duken më afër. Në Grupin A, Vllaznia duket e sigurtë për kreun, ndërsa erzeni me Dinamon nuk përbëjnë ndonjë kërcënim për të.
Po në fundin e renditjes, çfarë ndryshime parashikoni se mund të ndodhin?
-Në të dy grupet skuadrat janë shumë pranë njera-tjetrës dhe rivaliteti besoj se do të jetë i madh. Duhet që të kemi një fazë të tretë serioze mes tyre, jo si ka ndodhur në sezonet e kaluara. Përgjysmimi i pikëve e bën shumë të fortë luftën për mbijetsë për ato skuadra që do të jenë në grupin e pesë skuadrave të fundit në renditje.
Si ish-futbollist e trajner i Vllaznisë, çfarë po tregon kjo skuadër në këtë sezon të Kategorisë së Parë?
-Nuk më vjen mirë ku flas për Vllazninë në Kategorinë e Parë, por deri në fund i duhet që ta respektojë me seriozitet kampionatin. Gjatë kësaj periudhe më shumë do ti duhet ta konsolidojë skuadrën për sezonin e ardhshëm në Kategorinë Superiore.
Një kampionat me tre faza dhe me përgjysmim pikësh, është forma më e mirë për këtë kategori?
-Për deri sa të gjitha skuadrat e kanë pranuar këtë formulë dhe kanë hyrë në garë, kjo duket optimale për të gjitha. Rëndësi ka që të skuadrat të zhvillojnë një garë të bukur, të ndershme dhe më shumë fair-play.
Cili është parashikimi juaj për verdiktet e këtij sezoni në të dy kahjet e renditjeve në Grupet A dhe B?
-Vllaznia duket më e sigurtë në kreun e Grupit A, ndërsa në Grupin B do të ketë shumë rivalitet mes Bylisit e Besës, dhe gjithçka mund të ndodhë. Ndërsa në skuadrat e mbijetesës unë them se të gjitha janë të rezikuara ato që do të luftojnë për qëndrim në kategori.